Skip to content

Çfarë po ndodh në vend? 18 shpërthime me tritol në pak muaj, autorët ‘zhdukin gjurmët’ duke lënë si provë vetëm kamerat e sigurisë

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

2022-shi po na kthen pas në kohë, në vitet 2013-2014, kohë kur tritolvënia u bë e zakonshme për shqiptarët. Sulmet me eksploziv janë rikthyer në epiqendrën e lajmeve të kronikës zezë, ku vetëm këtë javë kanë ndodhur 5 ngjarje me tritol. Kur jemi ende në gjysmën e vitit, deri më tani në vend janë regjistruar 18 shpërthime me ekploziv. Ndërsa rekordi mbahet në vitin 2014, ku referuar të dhënave policore u regjistruan plot 29 shpërthime.

Për sulmet e këtij viti, sipas të dhënave nga autoritetet ligjëzbatuese, shumica e ngjarjeve janë parë si paralajmërime dhe kërcënime, ndërsa e fundit, ndodhur këtë të shtunë pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, nuk mund të marrë emërtim tjetër, përveçse një atentat i mirëfilltë i organizuar. Por, ajo çka vlen për tu theksuar, është fakti që edhe pse policia nuk e pranon asnjëherë dështimin, autorët përherë janë larguar, ku të vetmen provë që lënë për autoritetet, janë kamerat e sigurisë.

Këto të fundit, nuk i kanë hyrë në punë hetueve, pasi në 18 raste, deri më tani, asnjë ngjarje nuk është zbardhur. Policia jo vetëm nuk zbardh ngjarjet, por bie edhe vetë pre e sulmeve me tritol, duke u paralajmëruar apo kërcënuar nga grupe kriminale.

Në 4 raste, objekt i sulmeve me tritol kanë qenë vetë efektivët e policisë. Konkretisht 2 raste tritol vënie të efektivëve, janë shënuar në Shkodër, dhe nga një rast në Durrës e Kavajë. Më 2 qershor, shtëpisë së Pëllumb Vukës gjatë natës i eshtë vënë një sasi tritoli duke i shkaktuar dëme materiale; Më 20 Maj, një person i seksit mashkull, i maskuar si femër, me paruke, dhe i veshur me fustan ndez fitilin dhe i vë tritolin lokalit në pronësi të policit Ndrek Rrasa, në Grudë të Shkodrës.

Brenda 20 sekondash, të njëjtin veprim kryen duke i vendosur lëndën plasëse edhe poshtë automjetit të efektivit. Më 14 Maj të këtij viti, i vihet flaka makinës së Sokol Kronit. Ndërsa më 28 prill, automjeti i efektivit të Forcave Operacionale të Shkodrës, Dritan Turhani do shkrumbohej gjatë natës pranë banesës së tij në lagjen “Perash”. Por jo vetëm efektivët e policisë pre e sulmeve, përveç, personave me precedent, apo të njohur për konfliktet e tyre kanë rënë e njerëz të artit e të sportit.

Një shpërthim i fuqishëm do zgjontë Durrësin mëngjesin e datës 8 qershor. Dy bizneseve të reperit, të njohur Noizy, ju vendos rreth 200 gram tritol, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Ndërsa ngjarja më e rëndë, mund të konsiderohet ajo e 24 janarit, ku një sasi tritoli shpërtheu në derën e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Këto raste janë kthyer në shqetësim për autoritetet nisur dhe nga vështirësia që kanë këto ngjarje për tu zbardhur. Tirana dhe Shkodra janë dy qytetet që kanë shënuar numrin më të madh të shpërthimeve me tritol, me nga 5 secila. Të ndjekura nga Durrësi me 4 raste, Vlora me 3 dhe 1 rast është shënuar në Pogradec. (Faxweb.al)

/faxweb

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë