Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim në lidhje me raportimet e shumta në media, se grupe serbe kanë nisur të qëllojnë në drejtim të oficerëve dhe qytetarëve.
“Policia e Kosovës ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur.
Po ashtu janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.”-thuhet në komunikatën e policisë.
Gjatë pasdites dhe në mbrëmje serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë e mjete të tjera dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë. Bllokada vjen një ditë para se të hyjnë në fuqi vendimet e qeverisë së Kosovës për targat e dokumentet serbe (reciprociteti).
Misioni i KFOR-it reagoi po ashtu mbi ngjarjen këtë mbrëmje, duke thënë se është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti i Kosovës.
“Gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999.”-thuhet ndër të tjera në njoftim.
Kryeministri Kurti e Presidentja Osmani kanë patur një takim urgjent me ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, i cili ka bërë të ditur se ka kërkuar shtyrjen e implementimit të reciprocitetit me targat edhe për 30 ditë të tjera.
“Jam këtu që në emër të Qeverisë amerikane të kërkoj shtyrjen e zbatimit të këtyre dy marrëveshjeve për 30 ditë. Ne mendojmë se një shtyrje e tillë do të ishte e rëndësishme, sepse duket se ka dezinformim dhe keqkuptime për këto vendime. Ne shpresojmë se do të punojmë me këtë Qeveri dhe kolegët nga Bashkimi Evropian që të sigurojmë se këto marrëveshje kuptohen më mirë dhe në këtë mënyrë të ulim tensionet.”-tha ambasadori Hovenier.
Megjithatë, ai ka thënë se “sipas pikëpamjes së Shteteve të Bashkuara të gjitha vendimet e Qeverisë janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Qeveria amerikane nuk ka pasur shqetësim për to”.