Këtë të hënë në veri të Kosovës, situata mbetet sërish e tensionuar. Për shkak të vendimeve të qeverisë së Kosovës për targat e dokumentet, serbët lokalë nisën të vendosin barrikada në rrugë që të çojnë në pikat kufitare.
Aktualisht pikat e Jarinjës e Bërnjakut janë ende të bllokuara nga vetura e mjete të rënda, ndërsa rreth orës 11:00 të paradites, automjetet që bllokonin rrugën në Rudarë janë liruar.
Fshati Rudarë gjendet afro 5 kilometër nga Mitrovica dhe nëpër të kalon magjistralja për në pikëkalimin e Jarinjës.
Vendimi i Kosovës për lëshimin e dokumenteve për hyrje-daljet e serbëve (reciprociteti) vijon të zbatohet në 4 pikat e tjera kufitare me Serbinë, të cilat mbeten të hapura.
Në orët e mbrëmjes (31 korrik), pas një takimi me ambasadorin e SHBA-ve në Prishtinë, qeveria vendosi që të shtyjë me 1 muaj reciprocitetin, me kushtin që serbët të lirojnë të gjitha rrugët apo kalimet në pikat kufitare.
Ndërkohë në zonat e veriut, ka ende tension mes palëve. Në mëngjes në disa rrugë ishin vendosur banderola që shkruanin “Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”
Kryeministri Kurti dhe Ministri i Brendshëm i Kosovës Zveçla, pritet të mbajnë një konferencë për shtyp për të adresuar mbi situatën e krijuar, ndërsa shefi i diplomacisë së BE-së Joseph Borrel i ka kërkuar Kurtit e Presidentit Vuçiç, nisjen e një takimi në Bruksel për të vijuar me dialogun.
Pasditen e 31 korrikut pati të shtëna me armë në drejtim të oficerëve të Kosovës e madje edhe raste të dhunës në drejtim të shtetasve kosovarë, një fakt ky i pranuar edhe nga policia e Kosovës.
“Informacionet zyrtare konfirmojnë se dje, më 31.07.2022 pas bllokimit të rrugëve në Veri të Mitrovicës, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim. Fatmirësisht nuk raportohet për ndonjë qytetar apo zyrtar policorë të plagosur nga arma e zjarrit.
Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.”-njoftoi sërish sot policia e Kosovës.