Pas më shumë se 10 vitesh prokuroria e Tiranës ka rihapur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, protestuesit që u qëllua në tubimin e partisë socialiste në 21 janar të vitit 2011.

 

Mësohet se çështja është regjistruar në prokurori prej një muaji, ndërsa hetimet po drejtohen nga prokurorja Marjeta Zaimi. Në janar të këtij viti, prokuroria kërkoi riekspertizë të plumbit që i mori jetën 36-vjeçarit. Kërkesë kjo që u pasua me hapjen e çështjes.

 

Hetimet për vrasjen e Aleks Nikës ishin pezulluar pasi policia e prokuroria nuk mundën të përcaktojnë se cila nga armët e gardës që qëlloi në 21 janar i shkaktoi vdekjen protestuesit.

 

Pak ditë më parë familjarët iu drejtuan gjykatës europiane të të drejtave të njeriut ku paditën shtetin shqiptar pasi sipas tyre nuk ka bërë hetimet e duhura për zbardhjen e ngjarjes.

 

Të pyetur nga Vizion Plus lidhur me rinisjen e hetimeve, ata u shprehën mosbesues për zbardhjen e ngjarjes.

 

Mësohet se krahas Aleks Nikës ka rihapur hetimet edhe për Hekuran Dedën.

 

Në protestën e 21 janarit 2011, që u organizua nga partia Socialiste në bulevard u vranë katër protestues nga forcat e Gardës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re