Deputeti i PD-së i qarkut Elbasan, Luçiano Boçi, i cili sot është në Kuvend në saj të votave të konsiderueshme që mori në këtë qark ka sqaruar përmes një postimi në Facebook atë që linja zyrtare po i mëshon thuajse çdo ditë se delegatë të Elbasanit janë intimiduar nga grupe kriminale për të firmosur për Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha.

Këtë variant ka mbrojtur edhe Lulzim Basha disa herë, madje në mbledhjen e fundit të kryesisë së PD-së, ai e mbështeti tezën e tij kundërshtuese për kuvendin e 11 dhjetorit në këtë fenomen.

“Kush më shpjegon çfarë pune ka Suel Çela, që mban peng kryetarët e grupseksioneve për të firmosur formularët? Çfarë pune ka Qifja me Kuvendin e PD-së”, pyeti Basha në mbledhjen e fundit të kryesisë?

Luçiano Boçi, njëherazi kryetar i PD-së prej shumë vitesh në këtë qark, ka sqaruar pozicionin e tij.

“Demokratët e Elbasanit dhe kur kanë firmosur dhe kur jo, kanë shprehur vullnetin dhe bindjen e tyre, larg çdo presioni apo miklimi të çfarëdolloji.

Të hedhësh hije dyshimi mbi ata që përballuan me guxim masakrën zgjedhore të 25 prillit, për më tepër për guximin e tyre, është e pandershme dhe politikisht jo korrekte.

Unë jam përulur me respekt dhe do vazhdoj të jem falenderues për punën dhe sakrificën sublime të tyre!

Mua dhe të tjerët na ulën në parlament vota dhe mundi i atyre që kanë firmosur dhe atyre që nuk kanë firmosur për Kuvendin e 11 Dhjetorit.

Asnjë gjykim dhe paragjykim për askënd! Vetëm borxh ndaj tyre, falenderime e bekime! Pa ATA s’ka fitore! Pa ATA s’ka bashkim! Pa ATA s’ka PD!”, shkruan Boçi

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re