Përparimi i shpejtë i Huthëve në Jemen, i shoqëruar me sulme ndaj qyteteve dhe infrastrukturës së Arabisë Saudite, po ndërlikon më tej një luftë tashmë të përhapur në Lindjen e Mesme.
Goditjet e fundit kanë vënë në pikëpyetje edhe armëpushimin e vitit 2022, që kishte frenuar konfliktin e gjatë mes Huthëve të lidhur me Iranin dhe koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite.
Dhe rreziku nuk kufizohet vetëm te territori saudit. Marrja nën kontroll e pozicioneve pranë Detit të Kuq nga Huthët kërcënon njëkohësisht rrugët përmes të cilave Arabia Saudite eksporton naftën.
Ndërkohë, bisedimet e planifikuara në Muskat, të ndërmjetësuara nga Omani, mes Iranit dhe vendeve arabe të Gjirit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit u shtynë pas sulmeve nga Huthët dhe grupe irakiane të lidhura me Teheranin.
Sipas analistit të vendeve të Gjirit, Kristian Coates Ulrichsen, shtyrja e takimit tregon se kushtet për një marrëveshje ende nuk janë krijuar. Çështja është veçanërisht e ndërlikuar sepse çdo marrëveshje për Hormuzin duhet të mbështetet edhe nga vendet e tjera të Gjirit dhe Shtetet e Bashkuara.
Kërcënimi ndaj naftës
Sulmet e reja ndaj infrastrukturës energjetike saudite, kanë vënë në rrezik edhe alternativën që mbretëria kishte ndërtuar për të shmangur problemet në Ngushticën e Hormuzit.
Anijet saudite kanë nisur të shmangin ngushticën Bab al-Mandeb dhe të përdorin rrugën shumë më të gjatë përmes Kanalit të Suezit, Mesdheut dhe rreth Afrikës.
Kjo i shton eksportit të naftës drejt tregjeve aziatike javë të tëra udhëtimi dhe kosto të konsiderueshme. Ndërkohë, Arabia Saudite përballet me rrezikun e sulmeve nga veriu dhe jugu, me objektiva që mund të përfshijnë infrastrukturën kritike energjetike.
Një skenar veçanërisht problematik do të ishte mbyllja efektive e të dy pikave strategjike: Hormuzit dhe Bab al-Mandebit. Një “krizë e dyfishtë e ngushticave”, do ta linte Arabinë Saudite pa një rrugë të sigurt detare për eksportet e naftës dhe mallrave industriale, ndërsa do të vështirësonte edhe importin e produkteve të tjera.
Rikthimi i luftës?
Riadit nuk i mungon përvoja me luftën në Jemen. Arabia Saudite ndërhyri ushtarakisht në vitin 2015, në krye të një koalicioni arab, por konflikti u shndërrua në një përplasje të gjatë dhe pa rezultat vendimtar. Sot, gatishmëria për një operacion të ri ushtarak duket e kufizuar.
Huthët kanë zhvilluar aftësi të konsiderueshme në luftën asimetrike dhe përdorimin e dronëve. Fakti që i rezistuan fushatës ajrore amerikane “Operation Rough Rider” në vitin 2025 tregon kufizimet e bombardimeve nga ajri si mjet për t’i detyruar të tërhiqen.
Në vend të një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë, udhëheqja saudite po përpiqet të krijojë një koalicion rajonal për sigurinë detare në Detin e Kuq. Në këtë përpjekje mund të përfshihen Turqia, Pakistani dhe Egjipti.
Anijet luftarake turke dhe egjiptiane, mund të ndihmojnë në patrullimin e Detit të Kuq, ndërsa Pakistani ka një histori të gjatë të mbështetjes ushtarake për mbrojtjen e Arabisë Saudite.
Marrëdhënia me SHBA-në
Kriza po vë gjithashtu në provë marrëdhëniet mes Riadit dhe Uashingtonit. Vendet e Gjirit kishin kërkuar një zgjidhje diplomatike mes SHBA-së dhe Iranit përpara nisjes së luftës, por tani e gjejnë veten të përfshira në një konflikt që kishin dashur ta shmangnin.
Në Riad është forcuar perceptimi se Uashingtoni nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur aleatët e tij në Gjirin Persik. Nëse negociatat amerikano-iraniane për përfundimin e luftës dhe rikthimin e lundrimit të lirë në Hormuz vazhdojnë të ngecin, vendet e rajonit mund të përpiqen të negociojnë një marrëveshje të tyre.
Shtyrja e takimit në Oman tregon se ai moment ende nuk ka ardhur. Por, për Arabinë Saudite, durimi mund të jetë duke u konsumuar. \\
Continue Reading