Nga Ylli Pata

Blendi Kajsiu, në një koment të para disa ditëve, shtronte si argument, se nëse PD e Lulzim Bashës do ta përdorte me kohë instrumentin e hetimit parlamentar, ngjizja e saj me publikun, apo të paktën elektoratin e saj do të ishte më e fortë e natyrale.

Realisht, duke ju kthyr një zhurme që ka nisur, që kur qeveria ka ndërmarrë nismën e ndërtimit të impjanteve të përpunimit të mbetjeve urbane, nëse opozita do të bënte këtë që po bën sot, gjërat do ishin në shinat e veta.

Në radhë të parë, PD-ja do të ishte “rehat” me ndjekësit e saj, se ka bërë detyrën për të ndriçuar, kontrolluar e hetuar një aktivitet, për të cilin ka ngritur dyshime e akuza nga më të tmerrshmet.

Komisionet hetimore, janë realisht një nga instrumentet më të rëndësishme që disponon demokracia parlamentare. Në SHBA ata përdoren shumë gjerësisht e kanë një histori të rëndësishme prej shumë vitesh. Janë natyrisht pjesë e betejës politike mes palëve, e cila bëhet e fortë, e ndezur, por e qëndruar fort në shinat kushtetuese, etike, ligjore të një sistemi funksional parlamentar.

Në Shqipëri, ky instrument politik, në funksionin e një fuqie në dorën e opozitës, është përdorur vetëm kur PD-ja nuk ka qenë në qeveri. Ndërkaq, kur ka qenë në pushtet, sërish kjo parti e ka përdorur hetimin parlamentar, për të sulmuar kundërshtarët politik që i kishin në opozitë. Siç ishte komisioni famëkeq hetimor për “puçin” pas vrasjeve të 21 janarit 2011, apo komisione të tjera për “masakrën e Tivarit”, apo gjera të tilla që të mbajnë të karikuar opinionin publik.

Mbahet mend tashmë, kur PD kërkoi komision hetimor për zgjedhjet e 2009-s se çfarë ndodhi: refuzim absolut që solli një ërplasje të gjatë, deri edhe negocim nga Parlamenti Europian, apo grevë urie e protesta maratonë.

Megjithatë, kjo është një gjë që dihej, e është thënë prej kohësh, sidomos kur opozita e Lulzim Bashës instaloi në të shkuarën teorinë e largimit nga sistemi.

Në të gjithë këto ditë kur Komisioni Parlamentar Hetimor i drejtuar nga numri dy i PD-së Jorida Tabaku ka qenë në qendër të vëmendjes së publikut, thuajse 24/7. i janë dhënë mundësitë opozitës, që të telendisin me mjetet parlamentare të gjithë kundërshtarët politikë që ata i kanë përzgjedhur me kujdes dhe me tendencë të qartë. Që nga kryebashkiakja e Durrësit, Emirjona Sako, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, kryebashkiaku i Elbasanit, ministrja Belinda Balluku, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e deri të kryeministri Edi Rama.

Pra të gjithë personazhet më të rëndësishme që opozita i konsideron si “shënjestër” për “t’i goditur në lule të ballit”. E kanë pasur mundësinë në fakt prej vitit 2013, por i kanë bishtnuar rrugës parlamentare, duke zgjehdur zhurmën e dhunën. Po nejse, të vijmë tek maratona mediatike e “inceneratorëve” që kemi parë këto ditë, e që ngjan thuajse si dy pika uji me të famshmin “Komisioni Olldashi” të vitit 2003. Madje edhe shënjestra për tu vrarë politikisht është e njëjta’ Edi Rama.

Njerëzit, publiku, ka pasur mundësinë të dëgjonte me veshët e veta gjithçka është shtruar si mjergull e zhurmë e natyrisht të mendojë me trurin e vet se si qëndrojnë punët.

Megjithatë nga kjo maratonë kanë rënë shumë legjenda, për të cilat sërish ka opinione të ndryshme dhe është mirë të ketë; që nga 430 milionë euro vjedhje e 17 VKM në një ditë. Hiperbola politike që nuk janë veçse naivitet e mediokritet i atyre që i kanë ngritur me logjikën se do të ngjisnin akuzat e abuzimit.

Por kjo logjikë hiperbolike për “nëntë plagë”, “nëntë pash nën dhe” apo “nëntë vjet në shtrat” vlejnë si metafora në “Eposin e Kreshnikëve”, por jo si narracione politike.

Një parti opozitare, formulon kauza, i dërgon në Prokurori, e kur nisin hetimet, duhet të presë procesin. Nuk ka rrugë tjetër. E ne jemi sot në të gjitha fazat e një shteti normal parlamentar; ka hetim në Kuvend, si dhe hetim shumë i thelluar nga Prokuroria Speciale. Me zyrtarë shumë të rëndësishëm që janë vendosur edhe në kushte sigurie ekstreme.

Meqë po vjen 15 marsi, e mbani mend Gërdecin, 26 viktimat e pasojat e tmerrshme të një tragjedie që erdhi nga grykësia e babëzia e njerëzve të lartë me pushtet? Kishte Komision Parlamentar ku të pyeteshin nga Kryeministri e gjithë krerët e shtetit? Sa nisi hetimin një Kryeprokurore që synonte të ishte e pavarur, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, mori menjëherë kërcënimin brutal e mafioz të kreut të qeverisë dhe mazhorancës…

Ne sot jemi në një gjendje krejt normale, ku ka panelistë që ditën këshillojnë opozitën në komision hetimor me sms e natën gërthasin e shajnë në emisionet e darkës. Por më kryesorja e të gjithave është një proces hetimor i thellë që vijon nga SPAK, që natyrisht do të shkojë në një aulë gjykate, ku zgjidhet gjithçka. Po kush fitoi e kush humbi në këtë duel maratonë? Duhet të pritur edhe Edi Rama nesër në orën 12.00, por fakt është se pas mbylljes së këtij “reality shou”, që do të ketë natyrisht si epilog dy raporte paralele, njerëzit kanë arritur të kuptojnë diçka më shumë, jashtë optikës së partive politike…

TemA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re