Skip to content

Çfarë u gjet në këtë libër 400 vjeçar të bibliotekës së Kembrixhit

Një gjetje e habitshme, në një libër thuajse 400 vjeçar. Gjendur mes fletëve të një prej librave më të vjetër në Britani për botën e insekteve… një flutur.

Sigurisht që flutura është e ngordhur, ama çuditërisht është prezervuar e plotë dhe e padëmtuar.

Gjetjen e bëri drejtuesja e bibliotekës Jenni Lecky-Thompson, e cila po shfletonte disa prej librave më të vjetër në bibliotekë. Sipas ekspertëve, flutura mund të jetë po aq e vjetër sa libri, pasi specia është shtypur në libër.

“Po shihja disa prej librave fantastikë që ka në bibliotekë për botën e kafshëve dhe insekteve. Në dorë më ra libri “Teatri i Insekteve” (i shkruar në latinishte). Teksa po shfletoja, syri më kapi një flutur të vogël, fare pranë ilustrimit të kësaj specie.

Përgjithësisht është e zakonshme që të gjesh specie lulesh pranë ilustrimeve, nëpër librat e vjetër… por e pazakontë që të gjesh një specie në to”-tha drejtuesja e bilbiotekës.

Libri “Teatri i insekteve” i ruajtur në bibliotekën e Universitetit të Kembrixhit në Britani, është publikuar në vitin 1634.

“Me gjasë kjo flutur mund të jetë vënë në këtë libër nga pronari i saj i “parë” në shekullin e 17. Nëse është kështu me të vërtetë, është e mrekullueshme sesi kjo flutur ka arritur të ‘mbijetojë’ për kaq kohë. Kam patur disa diskutime me ekspertë të librave dhe ata mendojnë se gjasat janë që flutura të ketë qenë në libër prej shekujsh. Sigurisht që askush nuk e ka vënë flutrën aty kur libri ka mbërritur në bibliotekë dhe duke qenë një libër i rrallë, ai ruhet në një kuti të veçantë.“-shtoi për median e huaj Jenni Lecky-Thompson.