Nga Pëllumb NAKO –

Shoku im u bë i madh dhe më ndihmoi të kapja një post. Pak e njihja detyrën. Punova fort. Doja të vlerësohesha unë dhe jo shoku im. Erdhi koha dhe ai u largua nga detyra. Bashkë me të dhe unë. Askush nuk pa se si kisha punuar. Ula kokën dhe vajta në detyrën tjetër. Edhe aty u përpoqa të bëj më të mirën.

Nuk vonoi dhe fati me ndihu përsëri. Një shok tjetër u ngrit në detyrë. Dhe unë po ashtu u ngjita më lart. Vazhdova të punojë që të jem vetja dhe jo shoku. Madje konkurova për të shkuar jashtë me studime. U kualifikova. Por edhe shoku tjetër iku. Edhe atë e ndoqa nga pas. Përsëri ulje në detyrë. Përsëri ula kokën.
Por për ambasadën e huaj nuk kishte kthim pas. Më lejuan të shkoj në shkollë.

U ktheva në atdhe. Kisha idenë se tani vleja diçka. Por shok nuk kishte. Vazhdova me detyrën modeste të caktuar pas rënies së tij. Iu nështrova fatit. Bëra përsëri më të mirën. Doja vlerësimin që më takonte.

Vitet rridhnin dhe në vend të shokëve, erdhën ca të huaj që u ecte fjala. Sepse kishin shumë para për të investuar. Ata më vlerësuan për çfarë isha dhe me rekomanduan. Më në fund hierarkia më ngriti në detyrë.

Vitet vazhduan rjedhën e tyre. Hierarkia tjetër erdhi. Më propozuan një detyrë më të lartë. Jo për ato që dija, por për t’i prerë rrugën dikujt tjetër. Pranova. Punova fort. Doja vlerësimin që më takonte. Për inat të një grupi, grupi tjetër më mbante ende në detyrë. Asnjëherë për punën që bëja.

Përsëri ndryshim. Përsëri ulje në detyrë. Nuk kishte asnjë shans për shok. Ishte brez tjetër. Por edhe ata kishin nevojë për të huajt. Shkova përsëri në specializim. Më lejuan, nuk më dërguan.

U ktheva përsëri në atdhe. Me shumë dije të mira. Isha i bindur për vlerat profesionale, për eksperiencën. Ndihesha i plotë. Më liruan fare nga detyra. Sepse shokë nuk kisha. Të huajve ua kishin pirë lëngun.

E gjitha kjo pas 24 viteve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re