Magjia e Champions League rikthehet sot në mbrëmje për fazën e 1/8-ave të kompeticionit, ku spikatin duelet anglo-spanjolle mes Atletico Madrid-Tottenham dhe Newcastle-Barcelona.
Katalanasit duan të vazhdojnë trendin e rezultateve pozitive përballë bardhezinjve, pasi në 5 sfida në Champions kanë fituar 4 dhe kanë humbur 1.
Por situata në kampin e Barcelonës nuk është e qetë pas deklaratave të ish-trajnerit Xavi Hernandez në lidhje me largimin e Messit, duke thënë se ishte presidenti Laporta që nuk e donte atë. Diçka për të cilën ka folur trajneri aktual Hansi Flick dhe shpreson që të mos ndikojë në ambientin katalanas.
Atletico Madrid do të shfrytëzojë faktorin fushë përballë Tottenhamit për të vazhduar rrugëtimin europian.
Në fazën me eliminim direkt, që nga sezoni 2013-2014, “Galaktikët” kanë siguruar 13 fitore dhe 6 barazime në “Metropolitano”.
Atalanta e Berat Gjimshitit, si e vetmja skuadër italiane, ka një test të vështirë përballë Bayern Mynihut, që konsiderohet si një nga skuadrat favorite në Champions. Për trajnerin Kompany do të jetë një sfidë argëtuese.
“E kemi studiuar mirë kundërshtarin dhe u argëtuam gjatë analizës duke parë mënyrën se si bënin presing. Do të jetë ndeshje e vështirë për ne”, tha Vincent Kompany, trajner i Bayernit.
Liverpool do të kërkojë hakmarrjen në Turqi përballë Galatasaray pas humbjes në fazën e Ligës. Nesër do të luhen 4 ndeshjet e tjera të fazës së 1/8-ave, ndërsa ato të kthimit javën e ardhshme.




