Drejtuesit e 23 vendeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbështetën të martën idenë e krijimit të një marrëveshjeje ndërkombëtare që do të ndihmonte botën për të zgjidhur problemet e ardhshme shëndetësore siç është pandemia e virusit koronar që aktualisht po zhvillohet në botë.

Ideja e një marrëveshjeje të tillë, e cila do të siguronte furnizim universal dhe të barabartë të vaksinave, barnave dhe diagnostikimit për pandemitë, u nis për herë të parë nga Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në takimin e G20 në nëntor të vitit të kaluar.

Të martën, ideja u mbështet zyrtarisht nga udhëheqësit e Fixhi, Portugalia, Rumania, Britania e Madhe, Ruanda, Kenia, Franca, Gjermania, Greqia, Koreja e Jugut, Kili, Kosta Rika, Shqipëria, Afrika e Jugut, Trinidad dhe Tobago, Hollandë, Tunizi, Senegal, Spanja, Norvegjia, Serbia, Indonezia, Ukraina dhe OBSH.

“Do të ketë pandemi të tjera dhe kriza të tjera të mëdha shëndetësore. Asnjë qeveri ose agjenci shumëpalëshe nuk mund të merret me këtë më vete”, shkruajnë udhëheqësit në një deklaratë të përbashkët të botuar në të përditshmet kryesore.

“Ne besojmë se kombet duhet të punojnë së bashku në një marrëveshje të re ndërkombëtare mbi gatishmërinë e pandemisë dhe përgjigjet e duhura,” tha deklarata e përbashkët.

Qëllimi kryesor i marrëveshjes do të jetë forcimi i rezistencës globale ndaj pandemive të ardhshme përmes një sistemi më të mirë të alarmimit, ndarjes së të dhënave, hulumtimeve, prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave, barnave dhe pajisjeve mbrojtëse personale.

Dokumenti thotë që shëndeti i njerëzve, kafshëve dhe planeteve janë të ndërlidhura dhe kjo duhet të çojë në përgjegjësi të përbashkëta, transparencë dhe bashkëpunim global.

“Ne jemi të bindur se detyra jonë, si udhëheqës të kombeve dhe institucioneve ndërkombëtare, është të sigurojmë që bota të marrë një mësim nga pandemia e COVID-19.”

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re