Skip to content

“CIA ka kërkuar shpjegime për SHISH”, Toska: Një drejtor i Ballukut është “zbërthyer”! Si lindi lufta mes dy grupeve Belinda-Agasi? Çfarë i kërkoi Rama biznesmenit në takimin para arrestimit

2222

Gazetari Almer Toska ka bërë deklarata të forta për skandalin që ka përfshirë SHISH-in, duke pretenduar se çështja ka shkaktuar shqetësim edhe në Shtetet e Bashkuara dhe se CIA ka kërkuar shpjegime për situatën në shërbimin sekret shqiptar.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” me Ola Brukon në News24, drejtuesi i Timoni.al foli për atë që e cilësoi si dy grupime rivale brenda pushtetit, të lidhura respektivisht me Belinda Ballukun dhe Ergys Agasin.

“Nga 2021 deri në 2026 qeverinë e bënë Balluku dhe Agasi. Në SHBA, skandali me SHISH ka sjellë pështjellim. CIA ka kërkuar shpjegime për SHISH nga ambasada në Tiranë”, deklaroi Toska.

Sipas tij, afrimi mes ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe Ergys Agasit kishte ardhur përmes kryeministrit Edi Rama.

“Hyseni dhe Agasi u njohën nga Rama dhe vijuan me ‘bekimin’ e Ramës. Ligjshmëria për të vijuar në paligjshmëri e Agasit vinte nga Rama”, pretendoi gazetari.

Toska shkoi më tej, duke pretenduar se Agasi takohej rregullisht me kryeministrin në rezidenca jashtë Tiranës dhe se kishte fituar një ndikim të jashtëzakonshëm në vendimmarrje.

“Rama e takonte Agasin një herë në javë në rezidenca jashtë Tirane. Ishte kryeministër në hije. Ishin dy grupe rivale me njëri-tjetrin”, u shpreh ai.

Sipas Toskës, marrëdhëniet mes grupimit të Agasit dhe atij të Ballukut nuk kanë qenë gjithmonë konfliktuale. Ai pretendoi se deri në vitin 2023 raportet mes tyre ishin të mira, por më pas nisi një përplasje për pushtet.

“Agasi dhe Balluku deri në 2023 kishin marrëdhënie të mirë. Rama nuk e donte këtë. Ishte luftë për pushtet brenda perandorisë së korrupsionit që drejton Rama”, deklaroi Toska.

Në vijim, gazetari ngriti akuza edhe më të rënda, duke pretenduar se gjatë drejtimit të SHISH nga Vlora Hyseni është toleruar aktiviteti i paligjshëm i lidhur, sipas tij, me Agasin.

Një tjetër detaj që gazetari e paraqiti si informacion të ri lidhet me telefonat e Agasit dhe komunikimet që, sipas tij, ky i fundit kishte me kryeministrin.

“Detaji i ri është që një nga telefonat e Agasit, me të cilin komunikonte me Ramën, është asgjësuar, nuk është gjendur. Është mbrojtur kryeministri”, deklaroi ai.

Toska pretendoi gjithashtu se vetëm tre ditë përpara arrestimit, Agasi kishte zhvilluar një takim me Ramën. Sipas tij, biznesmeni kishte interes që goditja të drejtohej ndaj grupimit rival.

“Agasi ka pasur një takim me Ramën tre ditë më parë se të arrestohej. Këtë e donte Rama, që të goditet grupi tjetër. Po i vjen radha Ballukut”, tha Toska.

Në këtë pikë, gazetari dha edhe një tjetër informacion, duke pretenduar se një prej drejtorëve të lidhur me Ballukun ka dhënë informacione që mund të rëndojnë pozitën e personave të tjerë.

“Një nga drejtorët e Ballukut është zbërthyer, ka treguar shumë”, deklaroi Toska.