Me plagë në duar, sy e pjesë të trupit, një grua nga Vermoshi tregoi për median momentet e tmerrit të përjetuar në mbrëmje, teksa ajo dhe i shoqi u lidhën e u grabitën në banesën e tyre nga dy persona të maskuar

Hajdutët kanë hyrë në orët e vona të natës, kanë lidhur çiftin në moshë dhe duke i kërcënuar me armë e leva, kanë kërkuar para. Nga ambientet e spitalit, ku kishte shkuar për kurimin e lëndimeve, gruaja me inicialet M.T tregoi për median momentet e vështira.

Ajo shpjegoi se dy grabitësit, ishin të maskuar dhe me doreza dhe se kur ata kanë refuzuar të tregojnë ku janë paratë, janë goditur. Grabitësit kanë mundur të marrin një sasi të konsiderueshme parash, bizhuteri e sende tjera me vlerë. Gruaja shpjegoi se kanë qëndruar të lidhur për mëse një orë dhe në një moment ajo ka mundur të zvarritet drejt kuzhinës për të marrë një thikë e për t’u liruar.

“Kemi qenë me burrin në shpi. Kemi ndjenjur deri në 1 duke folur me fëmijët. Hajdutët na erdhën me automatik dhe me dy leva. Ishin dy veta. Na thanë mos luani. Burrin e lidhën, u mundova me qëndruar deri në fund. Kanë qenë dy vetë. Ishin me maska dhe me doreza. Paret shpejt na thanë. Nuk kemi i thamë.

Ata kërkuan edhe të tjera, burri u tha ja ku keni disa se shita viçin. Ato me kanë goditur me levë kokës. Na morën makinën që na e ka çuar fëmija prej Amerikës. Nuk arrita me dalluar asgjë. Në dialektin tonë flisnin, si ne flisnin.

Tentova t’i heq maskën njërit por me qëlloi me levë kokës. Kemi pasur gjëra të ruajtura kemi pasur para dhe kemi shitur dy makina. Kemi pas marrë para pensioni tre katër vjet i ruante im shoq për të bërë disa punime. I kanë marrë të gjitha para, telefona flori, makinë.

Kam mundur të dal duke u zvarritur dhe shkova deri në kuzhinë. Gjeta një thikë dhe zgjidha burrin fillimisht. Një orë e gjysmë apo dy orë ashtu kemi qen. Njëri tha se kjo nuk zgjat shumë, se është në momente të fundit. 4 djem kam. Policia ka ardhur por ka hasur në makinën tonë të aksidentuar. Se ata kanë vjedhur edhe një makinë tjetër. Aty kanë pa policinë ata dhe kanë ikur në këmbë. Kanë lënë levë dhe automatikun aty.”– tha e zonja e shtëpisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re