Vetëm ideja e një pjate supe të ngrohtë të gatuar mirë nën rehatinë e shtëpisë të bën ta duash akoma më shumë motin e ftohtë. Nëntori sjell shumë produkte, që nga lakra gjithë vitamina që na vjen nga zona e Lushnjës, tek ullinjtë e Beratit, Tiranës, Elbasanit dhe Jugut që na shoqërojnë në sallata e meze.

Nga panxhari i kuq i zonës së Maliqit tek kërpudhat e shkëlqyera që rriten në të egër në Tropojë. Dhe si për t’u ëmbëlsuar pak, disa mandarina dhe agrume nga Xarra, Borshi apo Saranda e bëjnë nëntorin një dashuri më vete.

Panxhari i kuq: Panxhari ka jo vetëm një pamje të bukur, duke qenë se kanë një ngjyrë të fortë të kuqe që shkëlqen si asgjë tjetër, por ka dhe një kombinim të shkëlqyer të së ëmblës me tokën. Nëse hyn tek kategoria e atyre që nuk e fusin në gojë panxharin, bëni mirë ta rikonsideroni duke qenë se ka edhe shumë vlera ushqyese. Në Shqipëri, zona që shquhet për prodhimin e panxharit në vend, është ajo e Maliqit.

Lakra: E pasur me vitaminë C dhe K, lakra është një super ushqim për parandalimin e radikaleve të lira. Duke ngrënë më shumë lakër ju ndihmoni të zvogëloni rrezikun e kancerit të gjirit dhe kancerit në zorrë dhe prostat. Plus studime të reja kanë treguar se të ushqehesh me këtë lloj perimi ndihmon për ta mbajtur në super formë sistemin imunitar. Lakrat më të mira janë nga zona e Lushnjës, që njihet dhe për prodhimin më të madh të lakrës në vend.

Mandarina: Këto fruta të vogla janë gjithë shije dhe lëng dhe i përkasin familjes së agrumeve së bashku me portokallet. Mandarinat e Xarrës, Borshit, Sarandës na japin një shije aq të ëmbël që na bëjnë të besojmë se vera nuk ka mbaruar edhe pse jemi në nëntor.

Perimet me rrënjë: Përveç karrotës, ka dhe shumë perime të tjera me rrënjë që janë të shkëlqyera. Një nga ato është dhe preshi i gatuar në gjellë, byrek apo i shtuar në sallatë.

Ullinj: Është një nga pemët më të përmendura në librat e shenjtë, ndërkohë që fruti i tij është krejt shpirti i shijes mesdhetare. Ulliri është konsideruar dhe si simbol i paqes, jetës dhe pjellorisë dhe ka formëzuar peisazhin e Shqipërisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re