Socialistët garojnë sërish këtë vit nën siglën e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, me emrat e përzgjedhur nga kryesia e PS.

Fokusi nuk do të jenë vetëm bashkitë që deri më sot janë drejtuar nga e majta, por edhe bashkitë e njohura si bastion i së djathtës apo LSI.

Por, cilat janë profesionet e të zgjedhurve vendorë, jo vetëm për aktualët, por edhe për ata që garojnë për herë të parë.

Siç ndodh edhe në Parlament, edhe në radhët e kandidatëve për kryebashkiakë spikasin ekonomistët, juristët, ushtarakët, mjekët, agronomët dhe një artist.

Është e vështirë të informohesh për jetëshkrimin e tyre edhe përmes faqes zyrtare të KQZ, ku bashkë me të dhënat, formularin e dekriminalizimit, kandidatët kanë detyrimin minimal të dorëzojnë edhe CV apo foto.

Gledjan Llatja në Elbasan ka mbaruar dy shkolla të larta, juridik dhe financë. Ai erdhi në qytet fillimisht si Prefekt i Qarkut.

Jurist në profesion është edhe Kastriot Gurra i Librazhdit.

Armando Subashi jurist, Rakip Suli që garon për Kamzën është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, po ashtu edhe Pjerin Ndreu që synon të fitojë Bashkinë e Lezhës, ku përveç juridikut ka përfunduar edhe shkollën e lartë të Ministrisë së Brendshme.

Më të shumtë janë ekonomistët, duke nisur nga Nuri Belba i Përrenjasit, diplomuar për financë-kontabilitet, Rajmonda Balilaj në Patos (financiare), Klement Ndoni në Këlcyrë është me profesion ekonomist, po ashtu edhe kandidati për Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri.

Dionis Imeraj në Dibër mban diplomën e ekonomistit, bashkë me të është Ilir Xhakolli i Pogradecit.

Në Himarë, Jorgo Goro ka dy profesione. Ka përfunduar fillimisht shkollën ushtarake “Skënderbej”, ndërsa më pas i është dedikuar profesionit të dytë, ekonomisë.

Por, ai nuk është i vetmi që vjen nga radhët e ushtarakëve. Fredi Kokoneshi, që garon për ASHE në Divjakë ka përfunduar akademinë ushtarake, Safet Gjici që këtë herë garon në Kukës është diplomuar në Akademinë e Policisë, ndërsa Ndrec Deda i Mirditës është diplomuar pranë Fakultetit të Kulturës fizike “Vojo Kushi”.

Mes radhëve të socialistëve ka edhe agronom, të diplomuar në Tiranë apo rrethe. Arif Tafani i Belshit mban titullin “Agronom i Lartë”, bashkë me Gëzim Topçiun e Maliqit apo Haxhi Memollën e Rrogozhinës.

Me profesion inxhinierë spikasin Fatos Tushe i Lushnjes, Majlinda Bufi në Roskovec apo Sotiraq Filo në Korçë. Mjekët janë shtuar në listat e socialistëve. Më i njohur prej tyre është Dritan Leli, që garon për një mandat të dytë në Vlorë, por mjekë në profesion janë edhe Flamur Golemi i Gjirokastrës, Shuaip Beqiri në Konispol dhe Ardian Gurma në Sarandë.

Lista me 61 kandidatë në radhët e socialistëve mbyllet me aktorin Erion Isai, që garon për Bashkinë e Ersekës.

Vëmendje të veçantë tërhoqi profesioni i kandidatit të PS në Mat, Agron Malaj, i cilësuar në media si “gardisti i 21 Janarit”. Habinë e krijuar e komentoi edhe Kryeminstri Rama, duke nënvizuar se ishte sqaruar ligjërisht tashmë që i përzgjedhuri i tij nuk ka qenë pjesë e grupit të zjarrit, ditën kur në bulevard u vranë 4 protestues. (A2)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re