Ndërsa vëmendja është përqendruar te projektligji i qeverisë për Ligjin e Sponsorizimeve, ku kalimi për miratim në Kuvend do t’i jepte një hov të madh zhvillimit të sportit në Shqipëri, dje Federatën Shqiptare të Futbollit e ka vizituar biznesmeni Samir Mane, i cili pati edhe një takim me Armand Dukën.

Në një video që është publikuar nga vetë Mane, Presidenti i FSHF-së e udhëzon njeriun më të pasur në vend të marrë menaxhimin e një klubi në Shqipëri, për t’i treguar dhe të tjerëve se si mirëfunksionon një punë e tillë.

Mane: Jam këtu në federatën e futbollit për të takuar presidentin. Përveç si presidenti, ai është edhe shoku im, i cili, do të më mbush mendjen që unë të merrem pak më shumë me financimin e futbollit. Edhe pse mendon se unë nuk marr vesh nga futbolli. Do humb para besojë apo edhe mund të fitojë!

Duka: Jo, në fakt ti nuk merr vesh nga futbolli. Unë nuk dua të mbush mendjen për financim. Sepse të hedhësh disa lekë është gjë e lehtë ose të marrësh ca lekë, të domosdoshme janë lekët.

Por ti (Samir Mane) je më i miri në menaxhim. Kështu që dua të mbush mendjen të menxhosh një klub futbolli. Nuk është jeta vetëm lekë, se ikim. Menxho një klub futbolli, sepse njerëzit e duan futbollin. Ti e menaxhon mirë, pavarësisht se nuk merr vesh teknikisht. Ti nuk ke humbur asnjëherë, kështu që nuk besojë do humbësh. Do fitosh siç ke fituar edhe herët e tjera. Mendoje këtë punë.  

Aludimet në disa media flasin për blerjen e Tiranës, e cila po kalon një moment tejet të vështirë, ndërsa të gjithë e njohin dobësinë e tij për qytetin e lindjes Korçën dhe ekipin e futbollit Skënderbeu, i cili me shumë gjasa, sezonin e ardhshëm do të rikthehet në Superiore.

Padyshim përfshirja e një biznesmeni të fuqishëm si Mane në futbollin shqiptar, do ta çonte në një tjetër nivel këtë sport në Shqipëri.

E megjithatë nga sugjerimet, këshillimet e deri te vendimmarrjet është një rrugë e gjatë përpara. S’mbetet gjë tjetër veçse të presim se çfarë do të ndodhë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re