Tre filmat e parë artistik shqiptar i takojnë tre zhanreve të ndryshme: i metrazhit të gjatë kolor, i metrazhit të shkurtër bardh e zi dhe i metrazhit të gjatë bardhë e zi. Cili është filmi i parë artistik shqiptar? Dhe arsyet për të mos qenë “Skendërbeu” apo “Fëmijt e saj”? Po pse “Tana”? Megjithatë njëri nga ata është i pari!

 

Filmi i parë artistik shqiptar është “Skënderbeu” (shfaqur premierë me 28 nëntor 1953) por është bashkëprodhim! Filmi i parë artistik shqiptar është “Fëmijt” e saj” (në siglën e filmit shkruan prodhim i vitit 1957, shfaqur premierë me 22 shkurt 1958) por është i metrazhit të shkurtër!

 

Filmi i parë artistik shqiptar ekranizim është “Tana” (shfaqur premierë me 17 korrik 1958) por para tij janë xhiruar dhe shfaqur një film bashkëprodhim dhe një film i metrazhit të shkurtër! Nëse me prodhimin e filmit artistik e tëra lidhet me Kinostudion “Shqipëria e Re” (1952) atëherë filmi i parë artistik shqiptar mbetët “Skënderbeu”, një bashkëprodhim me Kinostudion “M O S F I L M”.

Në enciklopeditë e pakta të kinematografisë shqiptare (Abaz T. Hoxha “Enciklopedi e kinematografisë shqiptare”, Tiranë, 1999; Abaz T. Hoxha “Enciklopedi e kinematografisë shqiptare”, Tiranë, 2002; Abaz T. Hoxha “Historia e Kinemasë në Shqipëri” (1945- 1990), Tiranë, 2015; Josif Papagjoni “Enciklopedi Teatri & Kinematografia shqiptare”, Tiranë, 2009; “Filmografi e filmit shqiptar 1953- 2003”, Tiranë, 2014) shkruhet se “Skënderbeu” është filmi i parë artistik.

 

Ende nuk e di pse thuhet se filmi i parë artistik shqiptar është “Tana”!? Vetëm pse e gjithë stafi realizues është shqiptar (më forca “vetanake” e “origjinale”), kur dihet se 5 vite më parë është xhiruar dhe shfaqur filmi artistik “Skënderbeu” (i vetmi kolor i periudhës njëzet vjeçare) me bashkëregjizor, me bashkëaktorë , etj. (mungon operatori shqiptar)?

Një nga studiuesit më të përkushtuar të filmit artistik shqiptar Abdurrahim Myftiu e vë filmin “Tana” si fillim. Arsyeja është se vërtetë është ekranizimi i parë. Nga katër librat e botuar për filmin nga ky autor dy kanë të bëjnë me dramaturgjinë, skenarin, ekranizimin e filmit (“Nga letërsia te filmi”, Tiranë, 2002 dhe “Vështrim mbi dramaturgjinë e filmit shqiptar (1957- 1990)”, Tiranë, 2013).

Megjithatë, cili është filmi i parë artistik shqiptar? Kësaj pyetje i bashkangjes siglat e tre filmave shqiptar (“Skënderbeu” “Fëmijt e saj” dhe “Tana”). Sa i përketë kronologjisë te 33 filmave artistik (1953-1972) morëm për bazë datën e dhënies së premierës. Bëmë “një përjashtim” tek filmi “Fëmijt e saj” pasi në siglën e filmit shkruan viti 1957 (si vit i prodhimit) edhe pse është dhënë premierë në vitin 1958 (disa muaj para filmit “Tana”).

 

Enver S. Morina; “Kalabria”, Prishtinë; 28 gusht 2019.

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re