Nga Slivana Kola-Loka

(Psikologe)

Kjo është njëra nga pyetjet në bllokun tim të shënime. Nuk më kujtohet momenti kur është ngjizur kjo pyetje, por më kujtohet përgjigja që i kam dhënë vetes (pak a shumë).

Nga sa di, sa kam jetuar, sa kam lexuar, sa kam parë, sa kam dëgjuar apo thjesht sa kam bluajtur me kokën time, kam arritur në këtë përfundim:

– Misioni më i madh i prindit është të ndihmojë fëmijën të njohë trupin e tij dhe ta dojë plotësisht për atë që është!

I dashur mik! Përpara se të nxitosh të mendosh se kjo që thashë është një nga ato tipet e formulave të shpërndara pa pikë kriteri nëpër rrjet, më lejo të shpjegohem.

Si fillim, të ftoj ta mendosh veten si një foshnjë e sapolindur.  E mendove? Tani, të lutem, më ndiq!

Ti nuk vendose se ç’gjini do kesh, apo jo?

Ti nuk vendose se ç’race do t’i përkasësh, apo jo?

Ti nuk vendose në do lindësh i shëndetshëm apo me komplikacione me shëndetin, apo jo?

Ti nuk vendose në do lindësh me sy të shkruar, të zinj, të mëdhenj, të veckël, apo jo?

(Besoj se e kuptove ku dua të dal.

Ti nuk pate aspak zë në vendim-marrje kur prindërit e tu të ngjizën dhe as kur gjenetika mori timonin të përcaktonte si do të ishte trupi yt kur të lindje. Besoj se për këtë askush nuk mund të thotë të kundërtën!

Dhe ti, me të ardhur në këtë botë, duhet të gjeje vendin tënd në të. Ti (edhe unë dhe gjithë të tjerët bashkë me ty), menjëherë pas lindjes, u hodhe në atë lëmshin e madh të njerëzve që bëjnë atë që quhet jetë, duke patur të vetmin zotërim të pamohueshëm dhe të përhershëm, TRUPIN. (Për mendjen flasim një herë tjetër! Jo se nuk ka rëndësi, por ta bëjmë pushim për sot.

Tani, më thuaj, i dashur mik!

A nuk mendon se jeta jetohet më mirë kur ti e do trupin tënd sepse, tek e fundit, ATË ke?

A nuk mendon se gjithë të tjerët do t’i pranojmë më lehtë nëse nuk do hahemi me lëkurën tonë?

A nuk mendon se, nëse çdo herë që do shihemi në pasqyrë apo thjesht ta mendojmë trupin tonë, dhe të shohim një trup që nuk duam ta ndryshojmë për ta bërë më të mirë për të tjerët, por një trup që mjafton ashtu si është (sepse ka mjaftuar qysh nga fillimi), ne do arrijmë të buzëqeshin më shpesh?

Ja pra pse unë mendoj se misioni më i madh i prindit është të mësojë fëmijën ta dojë mishin dhe kockën e vet. Sepse jeta na përplas me situata që na e përcëllojnë lëkurën; na bëjnë të ndjejmë sikur lëkura na rri ngushtë; na e tkurrin lëkurën nga frika, turpi, ankthi, etj; na bëjnë ta kemi zili dikë që arrin të zhveshë 100 lëkurë si t’i paraqitet rasti, nevoja dhe mundësia.

E unë mendoj se jeta përballohet me më shumë forcë, dinjitet, dashuri dhe durim kur, ti je rritur nga prindër që të kanë ndihmuar ta duash kaq fort mishin dhe kockën tënde, sa ta trajtosh si një tempull për të cilin ti nuk bën asnjë kompromis, edhe kur në lojë është ‘lëkura’ jote!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re