Barcelona ka njoftuar se do të ndalojë marrjen me qira të apartamenteve për turistët deri në vitin 2028, në një përpjekje për të frenuar kostot në rritje të banesave dhe për të lejuar qytetarët të jetojnë në qytetin e tyre.

Kryebashkiaku i krahut të majtë të qytetit, Jaume Collboni, tha se deri në nëntor 2028, Barcelona do të revokojë lejet për 10,101 apartamente të miratuara aktualisht për qiratë afatshkurtra, raportoi Reuters.

“Ne po trajtojmë atë që e konsiderojmë si problemin më të madh të Barcelonës”, tha Collboni.

Bumi afatshkurtër i qirave në Barcelonë, qyteti më i vizituar i Spanjës, i ka lënë disa qytetarë të paaftë për të përballuar qiranë pasi ato janë rritur 68 për qind dhe çmimet e pronave 38 për qind në dekadën e fundit, tha ai. Aksesi në strehim është bërë një nxitës i pabarazisë, veçanërisht për të rinjtë, shtoi më tej.

Autoritetet lokale kanë vendosur kufizime për qiratë afatshkurtra në Ishujt Kanarie, Lisbonë dhe Berlin në dhjetë vitet e fundit.

Isabel Rodriguez, ministrja socialiste e strehimit e Spanjës, tha se e mbështet vendimin.

 “Bëhet fjalë për të bërë gjithçka që duhet për të garantuar akses në strehim të përballueshëm,” njoftoi ajo në X.

Por, “Collboni po bën një gabim që do të çojë në varfëri dhe papunësi,” tha shoqata turistike e apartamenteve me qira të Barcelonës APARTUR, duke shtuar se ndalimi do të çonte në një rritje të qirave të paligjshme të apartamenteve.

Partia e ekstremit të majtë që drejtoi Barcelonën nga 2015 deri në 2023 ka ndaluar hapjen e hoteleve të reja në zonat më të njohura të qytetit, por Collboni ka lënë të kuptohet se mund të lehtësojë kufizimet.

Shoqata e Hoteleve të Barcelonës nuk ka dashur të komentojë lajmin.

“Ato 10 mijë banesa do të përdoren nga qytetarët ose do të përfundojnë në treg me qira apo shitje”, tha kryebashkiaku.

Autoritetet lokale kanë njoftuar inspektime të rrepta sapo ndalimi të hyjë në fuqi.

Vitet e fundit, regjistrimi i apartamenteve të reja turistike nuk është lejuar në Barcelonë. Që nga viti 2016, pushteti vendor ka urdhëruar mbylljen e 9700 banesave turistike të paligjshme dhe gati 3500 apartamente po ripërdoren nga qytetarët për banim. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re