Regjisori Kastriot Çipi është shprehur sërish kundër masave shtrënguese nga qeveria për shkak të COVID-19. Në një intervistë në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, Çipi u shpreh se  masat e qeverisë janë të tepërta dhe kufizimet duhet të ndalen.

Çipi tha se qytetarët në Shqipëri, nuk kanë të krahasuar as me qentë në Itali, të cilët kanë pasur të drejtë të dalin dhe të ajrosen, po ashtu ai shtoi se dhe të burgosurit kanë më shumë të drejta se ata që janë të lirë.

“Nuk kemi të krahasuar as me qentë në Itali, sepse ata lëvizin. Të burgosurit kanë të drejtë tre orë për të dalë në ajrim, ndërsa ne para dy javësh nuk dilnim dot fare”, tha Çipi.

Një ditë më parë regjisori është filmuar teksa ka zhvilluar një debat me policët, pasi ata e kanë gjetur duke ndenjur në një lokal në Tiranë. Çipi u ka kërkuar atyre një urdhër me shkrim se përse ai nuk lejohej të dalë të dielën, por nuk i është dhënë asnjë dokument.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re