Ndërsa Saudi Pro League po merret me mundësinë e pezullimit katër ndeshjesh të Cristiano Ronaldos, emri i Lionel Messit po rikthehet në qendër të vëmendjes në Lindjen e Mesme.

Anmar Al Haili, president i Al-Ittihad-it, ka riafirmuar obsesionin e tij për të nënshkruar me argjentinasin, duke deklaruar se është i gatshëm t’i ofrojë një kontratë historike, pa precedent në sportin profesional.

Një “çek i bardhë” për numrin 10

Ekzekutivi saudit u shpreh qartë se paratë nuk janë pengesë për të parë kampionin e botës të veshur me fanellën e verdhezi. Al Haili tha se nëse Messi do ta pranojë ofertën, ai do të mund të zgjedhë personalisht pagën dhe kohëzgjatjen e kontratës, madje duke sugjeruar edhe një marrëdhënie “për gjithë jetën” me klubin.

“Fitimi financiar nuk ka rëndësi për mua; dua Messin sepse ai është lojtari më i mirë në histori,” pranoi presidenti i klubit.

Megjithatë, më herët Messi kishte refuzuar oferta të tjera nga Arabia Saudite, por shpresa për një marrëveshje mbetet ende e gjallë, me Al-Ittihad që duket i vendosur të bëjë gjithçka për të bindur ‘yllin’ argjentinas.

Kujtojmë që pjesë e Al Ittihad-it, momentalisht, është edhe mbrojtëis i Kombëtares Shqiptare, Mario Mitaj, pa harruar emra të tjerë të mëdhenj të futbollit si Benzema, N’kante, Fabinho etj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re