Temperaturat mjaft të larta dhe të pazakonta në Britani, të cilat kanë arritur deri në 30 gradë, kanë bërë që shumë qytetarë të dynden drejt plazheve, duke mos respektuar rregullat e distancimit social.

Fotografi të shumta janë publikuar nga plazhet në Bournemouth, ku duket një prezencë mjaft e madhe e qytetarëve, të cilët qëndrojnë pranë njëri tjetrit, duke mos u shqetësuar aspak për Covid-19.

Kryetarja e Bashkisë të Bournemouth, Christchurch dhe Poole, ka shpallur gjendjen e një “incidenti madhor” dhe ka nisur të marrë masa për situatën.

“Jemi të detyruar të deklarojmë gjendjen e një incidenti madhor dhe të nisim një aksion emergjent”, tha Vikki Slade.

Pak ditë më parë, kryeministri Boris Johnson, deklaroi se Britania do të rikthehet në normalitet, duke lejuar hapjen e restoranteve, kafeneve dhe pabeve që prej datës 4 Korrik.

Megjithatë, Johnson bëri thirrje që qytetarët të vijojnë të respektojnë rregullat e distancimit social, thirrje kjo që nuk është ndjekur nga një numër i madh qytetarësh, që janë dyndur drejt plazheve.

/TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re