Çmimi i naftës kapi këtë të premte një rekord të ri.

 

Bordi i Transparencës vendosi që një litër naftë të shitet 7 lekë më shtrenjtë, për 265 lekë, çmimi më i lartë i përcaktuar që nga ngritja e tij, duke rënduar kështu më tej xhepat e qytetarëve.

 

Bezina nga ana tjetër ka pësuar një rënie të lehtë, me 2 lekë, duke u tregtuar për 241 lekë litri.

 

I pandryshuar mbetet çmimi i gazit, i cili do të vazhdojë të shitet për 86 lekë.

 

Çmimet e reja, që sipas bordit janë reflektim i ndryshimeve edhe në bursat e huaja, do të hyjnë në fuqi nga ora 18.00 e kësaj të premteje.

 

 

“Bordi i Transparencës në datë 17 Qershor 2022, në mbledhjen e radhës vendosi:

 

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë 265 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 253 lekë/litër.Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë 241 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë 229 lekë/litër.Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 86 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 74 lekë/litër për automjetet.

 

( Shënim: çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 17 Qershor ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

 

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

 

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re