Gjermania ka marrë si lëvdata e si kritika për mirëpritjen e refugjatëve sirianë në vitin 2015 dhe tani ka hapur kufirin për ukrainasit që ikin nga lufta në vendin e tyre.

Nga rreth katër milionë ukrainas që janë larguar nga agresioni rus, më shumë se 150,000 kanë ardhur në kryeqytetin gjerman, Berlin, dhe më shumë priten në javët në vijim.

Por ndërsa publiku mbështet fuqimisht pritjen e refugjatëve ukrainas, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për qëndrimin ndaj atyre që erdhën nga Siria apo Iraku, të cilët janë parë si një barrë për shoqërinë vitet e fundit.

Duke parë krizën e re të refugjatëve dhe këto krahasime, sirianët që tani jetojnë në Gjermani ofruan disa vlerësime.

“Ata na trajtuan si kriminelë”

Jawad Aljeblawy, 34 vjeç, erdhi në Berlin në vitin 2016 nga Turqia.

“Dallimi është më shumë politik sesa social. Qeveria dhe media na trajtuan si kriminelë, jo si njerëz që lanë vendin e tyre për shkak të luftës. Është bukur të shohësh ukrainasit se si i presin në këtë mënyrë, por mesazhi që shoh është se ka një ndryshim midis atyre evropianëve me flokë bjonde dhe sy blu dhe arabëve dhe myslimanëve jo-evropianë”, tha ai.

“Ndihemi keq”

Ahmad Kalaji

Ahmad Kalaji, 35 vjeç, është një gazetar dhe student nga Damasku, i cili jeton në Berlin.

“Ajo që më shqetësoi ishte mënyra se si raportonin disa gazetarë. Ne e dimë saktësisht se si ndjehen ukrainasit sepse edhe ne vuajtëm për të njëjtën gjë. Rusia shkatërroi të gjithë infrastrukturën dhe bombardoi spitalet dhe shkollat. Të gjitha këto i kemi përjetuar”, thotë ai.

“Kur media gjermane përpiqet t’i prezantojë njerëzit nga Siria ose Iraku me këtë histori dhe kur ata flasin për ukrainasit që ngasin makinën dhe duken si gjermanë, dhe madje lexojnë të njëjtat gazeta si ata, atëherë duhet të ndiheni keq.”

“Solidariteti duhet treguar me të gjithë”

Ameenad A Saawan është një 31-vjeçare nga Damasku dhe punon për grupin “Sirian Campaign” me bazë në Berlin.

“Zyrtarët duhet t’i trajtojnë më mirë ukrainasit, ata duhej të mësonin diçka nga kriza e 2015. Komunitetet mirëpresin dhe mbështesin, por mendoj se politika luan një rol – çfarë bëjnë politikanët dhe si reagojnë ndaj të ardhurve – mund të jetë ndryshe nga më parë.”

Ameenah A Sawaan thotë se ajo vuri re se mirëpritja e ukrainasve është e ndryshme.

“Përgjigja ndaj refugjatëve ukrainas është e jashtëzakonshme dhe duhet të jetë një reagim normal njerëzor dhe politik ndaj çdo tragjedie njerëzore. Të mirëpresësh refugjatët, pavarësisht se nga vijnë ata, duhet të jetë normë. Ata duhet të mbështeten në çdo hap. Solidariteti duhet të garantohet për të gjithë”.

“Ne kemi të njëjtin armik”

Yasmina Merei është një 38-vjeçare nga Homsi. Ajo themeloi Shoqatën Qytetare të Berlinit dedikuar grave arabe refugjate.

“Është shumë e rëndësishme të mbështeten refugjatët me strehim dhe ushqim, por këto përpjekje nuk e zgjidhin problemin themelor, që është shpërngulja me forcë e këtyre njerëzve. Mesazhet e solidaritetit me flamujt dhe ngjyrat e Ukrainës në ndërtesa dhe në internet janë të bukura, por nevojitet veprim i vërtetë politik.

Shpresoj se ukrainasit do të jenë në gjendje të kthehen në vendin e tyre sa më shpejt të jetë e mundur dhe se paqja do të mbizotërojë si në Ukrainë ashtu edhe në Sirinë time, sepse ne kemi të njëjtin armik për momentin”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re