Të dy ishin në proces divorci…. Por pavarësisht kësaj, Koço Buzo ka vendosur t’i marrë jetën të shoqes. Pas mbarimit të një seance gjyqësore në gjykatën e Elbasanit, 58 vjeçari ish- oficer i policisë, ka qëlluar me armë automatike të shoqen.

L.B, 54 vjeçe, ka gjetur vdekjen gjatë transportit për në spital, raporton policia në njoftimin e saj zyrtar. Si pasojë e të shtënave, kanë mbetur të plagosur dhe dy kalimtarë të tjerë, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

58 vjeçari është arrestuar pak minuta pas ngjarjes së rëndë, ndërsa në vendin e ngjarjes është gjetur arma e krimit, e lënë mënjanë në rrugë.

“Rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, shtetasi K. B., 58 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, shtetases L. B., 54 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.    

Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, shtetasi G. T., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.    

Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe shtetasi A. K., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë. 

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e  autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë.   

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”-njofton zyrtarisht policia e Elbasanit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re