Edhe pse festat e fundvitit kaluan, çmimet e fruta-perimeve vazhdojnë të pësojnë rritje. Në muajin dhjetor të vitit 2019 që lamë pas, ashtu siç është bërë zakon tashmë, çmimet u rritën ndjeshëm.

Por ky trend rritës po vijon edhe gjatë ditëve të para të janarit të vitit 2020. Blerësit ankohen se çmimet janë tepër të larta dhe se nuk i përballojnë dot. Kryesisht janë pensionistët ata që kanë edhe më shumë vështirësi në përballimin e çmimeve të larta.

Por nga ana tjetër ankesa kanë edhe tregtarët. “Vizion +” foli me tregtarë tek Markata e shijes, të cilët shprehën pakënaqësinë për fuqinë blerëse.

Përtej çmimeve që diktohen nga pikat e shumicës, mungesa e blerësve shihet nga ta si problemi më kryesor. Një tjetër arsye për punën e pakët ata rendisin edhe afërsinë e tregut të shumicës, por edhe shitësit tek ish-tregu i perimeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re