Në kulmin e sezonit të prodhimit, kilogrami i domates në tregjet me pakicë kushton deri në 170 lekë. Sipas tregtarëve, konsumatorët po përballen me këtë çmim të lartë në këtë periudhë për dy arsye: dëmtimi i prodhimit të sivjetshëm prej kushteve të motit dhe eksporti i produktit jashtë.

 

Fermerët thonë në interesi i tyre është që domaten ta nxjerrin në eksport sepse pikat e grumbullimit në vendin e tonë e blejnë kilogramin me një çmim shumë të ulët që varion nga 40 deri në 60 lekë.

 

MARIGLEN ZIU

FERMER

“Aktualisht unë kam vetëm eksport, të gjithë prodhimin e eksportoj. Dhe po e shes me 80 lekë kg e domates. Çmimi më i lartë këtë sezon ka qenë deri në 120 lekë. Edhe sezonin e dytë e kam ë gjithë prodhimin të kontraktuar për në Itali. Kemi eksportuar edhe në Serbi, Kosovë. Interesi jonë është për eksport sepse shitet diçka më shtrenjtë sesa në tregun vendas.”

 

Ekspertë të fushës vlerësojnë se me këtë trend, në mesin e sezonit turistik çmimi i domates mund të kapë edhe 200 lekë/kg për shkak të kërkesës së shtuar dhe ofertës së paktë.

 

ILIR PILKU

EKSPERT BUJQESIE

“Ndryshimet klimatike kanë sjellë një situatë paqëndrueshmërie edhe në tregje për produktet, kjo do të ndikojë edhe në kulturën e domates, bujqësia dhe tregu do të përballet me mungesë të kësaj kulture sepse kemi një dëmtim afërishst 40% të domates në fushë, kërkesa do të jetë e madhe dhe ne nuk do të mbulojmë dot kërkesën. Përpara zgjedhjevge, çmimi i domates arriti në vlerën 50 lekë kg, ndërsa sot jemi në 130 lekë kg. Çmimi i domates në fillim të korrikut, fillim i gishtit, ku kemi edhe fluks turistësh, mund të arrijë në 200 lekë kg. Është e njëjta situatë si në Spanjë me ullirin dhe në Itali me kultura të tjera.”

 

Për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike dhe me qëllim që prodhimet bujqësore të mos rrezikohen, ekspertët këshillojnë fermerët të investojnë në sera diellore, që të kenë mundësi të prodhojnë gjithë vitin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re