Aeroplanë luftarakë grekë fluturuan mëngjesin e kësaj të marte nëpër hapësirën ajrore të Maqedonisë Veriore, duke kryer kështu testet e para të atij që quhet “Policim ajror” në kuadër të NATO-s.

Si një vend që aspiron anëtarësimin në Aleancë, tashmë që shuajti dhe mosmarrëveshjet mbi 20-vjeçare me Athinën, Maqedonia Veriore duhet të “durojë” mbi qiellin e saj avionët e fqinjit deri dje në hasmëri.

Qëllimi i fluturimit ishte të kontrollonte komunikimin dhe mbulimin radar të hapësirës ajrore të Maqedonisë.

Fluturimet shërbejnë përgatitjen dhe përmbushjen e kërkesave që duhet të plotësohen nga Maqedonia Veriore si një anëtar i plotë i sigurisë kolektive të NATO-s, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë.

Misioni “Policimi ajror”, është një program i NATO-s i cili përfshin përdorimin e monitorimit hapësirës ajrore dhe të sistemit të menaxhimit të komandës dhe kontrollit të Forcës Ajrore, si dhe për të mbrojtur hapësirën ajrore të vendeve anëtare të Aleancës.

Kujtojmë se qielli shqiptar patrullohet gjithashtu nga avionë grekë dhe italianë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re