Faxweb.al mëson detaje të reja nga arrestimet e dy personave në Peqin, pas vrasjes së të riut Albi Bashaliu.

Burime bëjnë me dije se Veiz Bashaliu është cuni i xhaxhait të viktimës. Ai është vënë në pranga nga policia, për shkak se ka qenë i pranishëm te lokali ditën e vrasjes.

Kur është marrë në pyetje nga Policia ai është shprehur se nuk ka parë asgjë, dhe është shtrirë në tokë në momentin kur janë dëgjuar të shtënat.

Ndërkohë personi tjetër i arrestuar, Mikel Xhaja, në një përgjim ambiental ka folur duke theksuar, ”çfarë na duhet ne, më mirë themi s’kemi parë e as kemi dëgjuar gjë”.

Burime nga prokuroria bëjnë me dije se arrestimi i këtyre dy personave është i nxituar, pasi policia nuk disponon asnjë provë që ata të kenë pasur lidhje me autorët e vrasjes.

”Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera është dokumentuar se këta shtetas kanë kryer veprime aktive për të fshehur rrethanat e ngjarjes dhe kanë penguar aktivisht organet e Policisë, për t’u informuar për ngjarjen, rrethanat si ka ndodhur dhe motivin”, njoftonte zyrtarisht policia e Elbasanit.

Vrasja e të riut Albi Bashaliut që tronditi Peqinin, dyshohet se është një krim me pagesë, ndërsa hakmarrja për shkak të konflikteve është pista kryesore.

Sipas burimeve, ngjarja mbetet ende pa autorë, ndërsa policia shpreson të gjejë gjurmë të tyre në makinën e viktimës të cilën e braktisën në Kavajë.

Hakmarrja për shkak të hasmërisë me një familje në fshat dhe konfliktet e hershme, janë dy pistat ku janë përqëndruar hetimet për ekzekutimin e Albi Bashaliut të hënën në Gjoçaj të Peqinit.

Këto pista përforcohen nga e shkuara e 35-vjeçarit që ka qenë i hetuar për një atentat në vitin 2017, ndërsa i vëllai Leonard Bashaliu 6 muaj më parë vrau bashkëfshatarin Ylber Xhahysa.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re