Nga Roald A. Hysa

Më 27 dhjetor 2024, ushtria izraelite bastisi spitalin Kamal Adwan në Mashrou’ Beit Lahiya dhe arrestoi në mënyrë arbitrare drejtorin e tij, Dr. Hussam Abu Safiya, së bashku me stafin tjetër mjekësor dhe pacientë.

Bastisja e nxori jashtë funksionit spitalin, objektin e fundit të madh mjekësor funksional në provincën e Gazës veriore.

Për muaj të tërë, Dr. Hussam Abu Safiya ka qenë zëri më i shquar i sektorit të shkatërruar të kujdesit shëndetësor të Gazës. Autoritetet izraelite duhet ta lirojnë menjëherë atë dhe jo ta mbajnë me akuzën e sajuar, që ai është operativ i Hamasit. Në pritje të lirimit të tij, ato duhet të zbulojnë vendndodhjen e tij dhe t’i japin atij akses në një avokat dhe të sigurojnë mbrojtjen e tij nga torturat dhe keqtrajtimet e tjera, si dhe t’i ofrojnë atij kujdes shëndetësor të përshtatshëm.

Bazuar në këto, Amnesty International ju drejtua me një letër të posaçme ushtrisë izraelite për lirimin e tij dhe ofrimin e shërbimeve avokatore mbrojtëse. Nga informacionet e shpërndara nga Amnesty International dhe avokatët e Dr. Ebu Safiya-s, rrëfehet për gjendjen e tij të keqe shëndetësore.

Dr. Hussam Abu Safiya, si shumë punonjës shëndetësorë para tij, u ndalua gjatë kujdesit për pacientët dhe kryerjes së detyrave të tij normale mjekësore. Më 9 janar, Gjykata e Magjistraturës Izraelite në Ashkelon zgjati ndalimin e tij pa akuzë, sipas Ligjit për Luftëtarët e Paligjshëm, deri më 13 shkurt; dhe ata zgjatën ndalimin e takimit të Dr. Hussam Abu Safiya-s me një avokat deri më 22 janar 2025. Ata vazhdojnë të refuzojnë të zbulojnë vendndodhjen e tij. Palestinezët e liruar së fundmi nga qendra e paraburgimit Sde Teiman i thanë medias, se e panë Dr. Hussam Abu Safiya-n në këtë qendër paraburgimi.

Dy palestinezë që u liruan së fundmi nga qendra famëkeqe e paraburgimit Sde Teiman e Izraelit thanë, se e panë mjekun e shquar Hussam Abu Safiya atje muajin e kaluar (raportimi është i CNN 10 janar 2025), duke thënë se ai ishte në “gjendje të keqe” kur mbërriti. Ish-të paraburgosurit thanë se Abu Safiya dukej i rraskapitur fizikisht dhe mendërisht, dhe se u habitën kur e panë atje.

Izraeli nuk ka specifikuar se ku po mbahet Abu Safiya, drejtori i Spitalit Kamal Adwan në Gazën veriore, por ka thënë se ai është nën hetim për anëtarësimin e tij në Hamas, një akuzë që ish-të paraburgosurit e quajnë të rreme. “Të gjithë u habitën nga mbërritja e tij, sepse ai është një mjek humanitar, që nuk i përket asnjë organizate”, tha Mustafa Hassouna, një nga ish-të paraburgosurit që u lirua së bashku me një ish-të paraburgosur tjetër, Mohammad Al-Ramlawi, në Gazën qendrore.

“Gjykata izraelite e Beershebas mbështeti ndalimin e Abu Safiya-s si një luftëtar i paligjshëm për një periudhë prej gjashtë muajsh”, tha në një deklaratë Zyra e Informacionit për të Burgosurit, e lidhur me grupin palestinez të rezistencës, Hamas më 25 mars 2025.

Pasi kaloi fillimisht dy javë në bazën ushtarake Sde Teiman në shkretëtirën Negev të Izraelit jugor, Abu Safiya u transferua në Ofer, ku Izraeli mban qindra të burgosur palestinezë.

Drejtori i Spitalit Kamal Adwan në Gaza, i cili u ndalua nga forcat izraelite në dhjetor (2024), po mbahet në kushte “çnjerëzore” nga Izraeli dhe i nënshtrohet “kërcënimit fizik dhe psikologjik”, paralajmëroi avokati i tij. Avokati i Abu Safiya-s, Gheed Qassem, arriti ta vizitonte mjekun më 19 mars 2025 në burgun Ofer në Bregun Perëndimor të pushtuar nga ushtria izraelite.

Sulmet nga forcat izraelite kanë ndikuar rëndë te punonjësit e shëndetësisë dhe institucionet mjekësore dhe kanë shkatërruar sistemin e kujdesit shëndetësor.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka dokumentuar të paktën 136 sulme në 27 spitale dhe 12 institucione të tjera mjekësore, duke rezultuar kështu në viktima të konsiderueshme midis mjekëve, infermierëve dhe civilëve të tjerë.

Shkatërrimi i sistemit të kujdesit shëndetësor në Gaza nga Izraeli është pjesë e shkaktimit të qëllimshëm të një gjenocidi të llogaritur për të sjellë shkatërrimin fizik të palestinezëve, dhe është e ndaluar sipas Konventës së Gjenocidit. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko