Skip to content

Ç’ndryshon tani për luftërat në Iran, Ukrainë dhe botën në tërësi?

Çfarë do të ndryshojë për pjesën tjetër të botës me një president të dobësuar politikisht në Shtëpinë e Bardhë? Kjo pyetje shqetëson njësoj Brukselin, Pekinin, Moskën, Kievin, Tel Avivin dhe Teheranin.

Zgjedhjet e mesmandatit mund të ndryshojnë raportet e forcave në Kongresin amerikan, por ndikimi i tyre në politikën e jashtme të Donald Trumpit nuk është i sigurt.

Kushtetuta amerikane nuk përcakton kufij gjithmonë të qartë ndërmjet kompetencave të presidentit dhe atyre të Kongresit në çështjet e politikës së jashtme. Por përvoja e dy mandateve të Trumpit tregon se ai ka pasur prirjen t’i anashkalojë, t’i dobësojë ose thjesht t’i shpërfillë institucionet legjislative.

Prandaj, edhe nëse demokratët fitojnë kontrollin e njërës apo të të dyja dhomave të Kongresit, presidenti ka gjasa të vazhdojë të vendosë vetë për drejtimin strategjik të vendit.

Përplasja e parë mund të shfaqet te lufta me Iranin. Në Evropë dhe në vendet e Gjirit Persik ekziston shqetësimi se Trump mund të urdhërojë rifillimin e sulmeve ushtarake pa kërkuar paraprakisht nga Kongresi një autorizim formal për luftë.

Sipas New York Times, komanda ushtarake amerikane ka përgatitur tashmë një plan operacional. Mjeti më i rëndësishëm që do të kishin demokratët për ta kufizuar presidentin është bllokimi i financimit të operacioneve të Pentagonit.

Departamenti i Mbrojtjes ka kërkuar miratimin e një pakete prej 98 miliardë dollarësh. Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët, e ka miratuar atë më 22 korrik, ndërsa Senati ende nuk është shprehur.

Megjithatë, kongresmenët e rinj, të zgjedhur në votimet e 3 nëntorit, do të marrin detyrën vetëm më 3 janar. Kjo do të thotë se Senati aktual, me shumicë republikane, ka ende dy muaj kohë për të miratuar fondet.

Nëse kjo nuk ndodh, Trumpi mund të detyrohet të negociojë me drejtuesit demokratë për një përfundim më të shpejtë të konfliktit. Vetë presidenti është treguar i paqartë për planet e tij.

Në një intervistë për Financial Times, ai deklaroi se nuk parashikonte një ndërhyrje të menjëhershme, por se ushtria ishte e përgatitur nëse do të nevojitej. Ndërkohë, ka lënë të kuptohet se mund të shkurtojë katër miliardë dollarët e ndihmës ushtarake vjetore për Izraelin, megjithëse një vendim i tillë do të kërkonte ndërhyrjen e Kongresit.

Për Ukrainën, skenari duket më pak i ndërlikuar. Trumpi ka treguar vazhdimisht se nuk ndien detyrim të respektojë qëndrimet e Kongresit. Një shembull domethënës është ligji i 16 shtatorit për sanksionet ndaj naftës ruse dhe penalitetet dytësore kundër vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë nga Moska, veçanërisht Kinës.

Trump e firmosi ligjin dy ditë më vonë, por më pas vijoi afrimin me Vladimir Putinin, duke lehtësuar qarkullimin e karburanteve ruse në treg dhe duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin politik të Volodymyr Zelensky-t, deri në sugjerimin se ai duhet të zëvendësohet.

Për rrjedhojë, Kongresi i ri vështirë se do të ketë ndikim vendimtar mbi qëndrimin e presidentit ndaj luftës. Edhe marrëdhëniet me Kinën nuk pritet të pësojnë ndryshime thelbësore. Në këtë pikë, republikanët dhe demokratët ndajnë një mosbesim të konsiderueshëm ndaj Pekinit.

Për të dyja palët, Kina konsiderohet më shumë një rival strategjik që duhet frenuar sesa një partner me të cilin mund të negociohen zonat e ndikimit. Demokratët mbështesin vazhdimin e furnizimit me armë të Tajvanit, ndërsa të dyja partitë shprehin shqetësim për zgjerimin e kapaciteteve ushtarake kineze dhe përparimin e saj në inteligjencën artificiale.

Megjithatë, përcaktimi i ritmit dhe i përmbajtjes së marrëdhënieve me Pekinin, do të mbetet në duart e Trumpit. Shtëpia e Bardhë synon një marrëveshje bashkëjetese me Xi Jinpingun, mundësisht në kuadër të samitit të G20-s, që do të zhvillohet më 14-15 dhjetor në Majami.

Ndërkohë, Evropa nuk pritet të fitojë më shumë ndikim në llogaritjet strategjike të Uashingtonit. Trumpi e ka përjashtuar atë nga vendimmarrja për çështjet kryesore, nga Irani dhe Ukraina te Kina e Rusia.

Humbja e mundshme e shumicës republikane nuk do ta ndryshojë këtë qasje. Kongresi mund të kërkojë më shumë konsultim me aleatët, por nuk ka instrumente të mjaftueshme për ta detyruar presidentin të ndryshojë drejtim.

Edhe për çështjen e tarifave tregtare, demokratët nuk ofrojnë një alternativë rrënjësisht të ndryshme. Ata kritikojnë tarifat e Trumpit, të cilat rëndojnë mbi importuesit dhe konsumatorët amerikanë, por mbështesin gjithashtu masa që mbrojnë ekonominë vendase.

Edhe administrata e Joe Biden ndoqi një politikë proteksioniste përmes ligjit për uljen e inflacionit të vitit 2022, duke ofruar subvencione të mëdha për kompanitë që investonin në SHBA.

E njëjta logjikë vlen edhe për NATO-n. As republikanët dhe as demokratët nuk e vënë në diskutim angazhimin amerikan në Aleancën Atlantike. Një ligj i miratuar më 16 dhjetor 2023 ia ndalon presidentit të tërhiqet nga NATO-ja pa miratimin e Senatit. Nismëtar i kësaj mase ishte edhe Marco Rubio, sot sekretar i Shtetit.

Megjithatë, askush nuk mund ta pengojë Trumpin të vazhdojë të krijojë pasiguri te aleatët evropianë. Në të vërtetë, edhe demokratët ndajnë bindjen se fuqitë kryesore evropiane duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

Përtej dallimeve partiake, në Uashington ekziston një konsensus gjithnjë e më i fortë se prioritetet strategjike amerikane po zhvendosen drejt kontinentit amerikan dhe rajonit Indo-Paqësor.

Evropa do të mbetet aleate, por jo më në qendër të vëmendjes së Shteteve të Bashkuara. Pra zgjedhjet e mesmandatit mund t’ia vështirësojnë qeverisjen Trumpit, por nuk premtojnë një ndryshim të vërtetë të politikës së jashtme amerikane. \\