Një analizë e re gjenetike e virusit që shkakton Covid-19, referuar 7,600 pacientëve në të gjithë botën, tregon se koronavirusi ka qarkulluar me shpejtësi në mbarë botën që në fund të vitit të kaluar, shkruan CNN.

Studiuesit në Britani panë mutacionet në virus dhe gjetën prova se pati përhapje të shpejtë. “Virusi po ndryshon, por nuk po përkeqësohet,” tha për CNN studiuesi i gjenetikës Francois Balloux nga University College London Genetics Institute.

Balloux dhe kolegët e tij mblodhën të dhëna globale dhe panë mostrat në periudha të ndryshme dhe vende të ndryshme dhe arritën në përfundimin se virusi filloi të transmetohej në mbarë borën në fund të vitit të kaluar.

“Kjo përjashton çdo skenar që thotë se SARS-CoV-2 mund të ketë qarkulluar shumë kohë më përpara,” tha Balloux.

Studime të ndryshme thonë se koronavirusi i ri ka qarkulluar te lakuriqët e natës në Kinë, por infektoi një tjetër kafshë përpara se të transmetohej te njeriu. Rastet e para u raportuan në Wuhan, Kinë në dhjetor. Që të transmetohet në masë, struktura e virusit pëson mutacione.

“Jemi shumë të sigurt që transmetimi në mbarë botën filloi në fund të vitit të kaluar. Kjo për shkak se të gjitha mostrat e marra në çdo cep të globit tregojnë mutacione të shumta dhe mutacionet janë të ngjashme,” shtoi Balloux.

Hulumtimet e drejtuara nga studiuesit e gjenetikës gjejnë mbështetje edhe nga provat e fundit në Francë, ku mjekët e një spitali konfirmuan se kanë kuruar një pacient me koronavirus që në 27 dhjetor.

Raportet për mutacionet mund të jenë të rëndësishme për ekipet që punojnë për të gjetur një kurë ose vaksinë për të luftuar koronavirusin

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re