Nga Bashkim Kastrati
Shpenzimi i parave publike të mbledhura nga taksapaguesve në masë të madhe shpenzohen përmes prokurimit publik. Institucionet qeveritare dhe publike çdo blerje apo shërbim duhet ta bëjnë përmes prokurimit publik.
Pikërisht për këtë arsye prokurimi publik konsiderohet një nga vendet ku bëhen keqpërdorime të shumta. Në Kosovë në vazhdimësi raportohet se si zyrtarët e prokurimit që e kanë një rrogë të një shërbyesi civil bëjnë jetë luksoze dhe vozisin vetura të shtrenjta.
Procedurat tenderuese në prokurimin publik janë shumë specifike dhe supozohet që dallaveret që bëhen në prokurim publik janë goxha të sofistikuara. Në këtë aspekt zyrtarët e prokurimit dhe pronarët e kompanive janë bërë njohës së mirë të fushës së prokurimi dhe ligjit të prokurimit. Pra keqpërdorimi arrihet të mbulohet mirë me letra.
Por në këtë aspekt është duke ngecur prokuroria. Supozohet se në shumë raste nuk ngritën aktakuza apo humbën rastet në gjykata për shkak se prokurorët nuk janë të përgatitur mirë dhe të profesionalizuar në fushën e prokurimit.
Organizata “Çohu!” ka publikuar një raport që e trajton këtë çështje. Sipas raportit në fjalë, sistemi prokurorial ballafaqohet më një numër të konsiderueshëm të lëndëve në të cilat janë të përfshirë zyrtarë të shumtë publikë të cilët ngarkohen për veprat penale të natyrës korruptive, pikërisht për shkak të keqpërdorimeve të procedurave të ndryshme të prokurimit publik.
Sipas të dhënave të Këshillit Prokurorial të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2016, prokuroritë themelore dhe Prokuroria Speciale kanë qenë të ngarkuara me gjithsej 984 raste të natyrës së korrupsionit me 2,491 persona ku kanë qenë të përfshirë gjithashtu rastet e prokurimit publik. Në anën tjetër, gjykatat themelore të Kosovës, bazuar në të dhënat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjatë vitit 2016 janë ngarkuar me gjithsej 929 lëndë të natyrës së korrupsionit.
Edhe pse trajtimi i rasteve të korrupsionit (duke përfshirë rastet e prokurimit publik) po konsiderohet prioritet nga ana e prokurorive dhe gjykatave, një numër i konsiderueshëm i keqpërdorimeve në prokurimin publik mbetet i patrajtuar.
“Një përfundim i tillë mund të nxiret gjithashtu duke u bazuar në shkeljet e gjetura nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Bazuar në po këtë raport një numër i madh i shkeljeve të procedurave dhe, rrjedhimisht i keqpërdorimit të detyrës, rrjedh nga procedurat tenderuese gjatë procesit të prokurimit publik”, thuhet ndër të tjera në raport.
Hulumtimi i organizatës “Çohu!” thekson se mungesa e komunikimit dhe bashkëpunimit të mirëfilltë në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit në njërën anë dhe policisë dhe prokurorisë në anën tjetër, ka vështirësuar dhe ka pamundësuar trajtimin me efikasitet të rasteve të tilla të cilat lidhen me keqpërdorimet e procedurave të prokurimit publik. Vështirësisë dhe pamundësisë së trajtimit të rasteve të tilla i ka kontribuuar edhe qasja pasive e prokurorisë dhe kërkesat e prokurorisë për të formalizuar bashkëpunimin me Zyrën e Auditorit për denoncimin e rasteve të tilla.
Bazuar në hulumtimin e organizatës “Çohu!” pas vizitave në prokurori dhe intervistave me kryeprokurorë në prokuroritë themelore, atë Speciale dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, janë identifikuar probleme të natyrave të ndryshme, duke filluar nga ato të thjeshta e teknike, deri te problemet të cilat edhe ndikojnë në mbarëvajtjen e proceseve.
“Bazuar në monitorim dhe kryesisht intervistat me kryeprokurorë, “Çohu!” ka identifikuar gjetjet si në vijim: Numri i pamjaftueshëm i prokurorëve, në veçanti në Departamentin e Krimeve të Rënda; Mungesa e prokurorëve të profilizuar për rastet e prokurimit publik; Nevoja për ngritjen profesionale të prokurorëve, specializim në fushën e prokurimit publik; Mungesa e ekspertëve për angazhim në rastet e natyrës së prokurimit publik; Mungesa e evidencave të rasteve të prokurimit publik ndër vite; Mungesa e rasteve të kategorizuara të prokurimit publik; Bashkëpunimi i brishtë ndërinstitucional në fushën e prokurimit publik; Mosgatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar në proceset të cilat kanë të bëjnë me prokurimin publik; Kushtet e rënda të punës dhe mungesa e hapësirës së mjaftueshme (Prokurorinë Themelore në Mitrovicë).
Prokurorët duhet të mbajnë trajnime të specializuara në prokurim
Raporti konstaton se ndër sfidat dhe problemet e veçanta në secilën prokurori përveç numrit të vogël me prokurorë, është edhe mungesa e profilizimit të prokurorëve për rastet e prokurimit publik si dhe nevoja për ngritje të kapaciteteve profesionale të prokurorëve për natyrën e tillë të veprave. Këtë e thotë edhe Besim Kelmendi, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Pothuajse në të gjitha prokuroritë themelore (PTh) dhe në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) kanë potencuar si sfidë problemin e mungesave profesionale dhe nevojën për ngritje të kapaciteteve profesionale. PTh-ja në Prishtinë, PTh-ja në Prizren, PTh-ja në Gjakovë dhe PTh-ja në Ferizaj sipas kryeprokurorëve të tyre kanë nevoje për specializim dhe ngritje profesionale për lëndët e natyrës së prokurimit publik. Derisa për të njëjtin shqetësim janë deklaruar edhe kryeprokurorët e PTh-së në Pejë, PTh-së Gjilan dhe ata në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në raport.
Në bazë të gjetjeve për këtë çështje, organizata “Çohu!” u rekomandon prokurorive themelore, PSRK-së dhe këshillit prokurorial që të fillojnë specializimet e prokurorëve për ngritjen e tyre profesionale dhe gjithashtu të bëjnë kategorizimin apo profilizimin e prokurorëve të veçantë për rastet e prokurimit publik.
Duhet theksuar se trajnimet e tilla për prokurim publik në kuadër të Akademisë së Drejtësisë, nuk janë të obligueshme dhe “Çohu!” konsideron se kjo është e metë tjetër e bashkëpunimit në mes të Akademisë së Drejtësisë dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Raporti thekson se profilizimi i prokurorëve për rastet e prokurimit publik dhe obligueshmëria për avancimin profesional përmes vijimit të trajnimeve në Akademinë e Drejtësisë do të duhej të ishte hapi i parë dhe i domosdoshëm i bashkëpunimit të Këshillit Prokurorial dhe Akademisë së Drejtësisë.