Skip to content

COVID-19/ Arrihet marrëveshja për prodhimin e vaksinës të Oksfordit, rezultatet e para dalin në mes të qershorit

Kompania gjigande farmaceutike AstraZeneca ka pranuar marrëveshjen për të prodhuar vaksinën anti- COVID të krijuar nga universiteti i Oksfordit.

Partneriteti i  tyre është i pari i krijuar që kur qeveria e Mbretërisë së Bashkuar krijoi Task Forcën  dy javë më parë për të ndihmuar në gjetjen e një vaksine kundër koronavirusit.

Marrëveshja është pranuar që të mos ketë asnjë përfitim prej palëve si dhe vaksina të përdoret nga e gjithë bota nëse rezulton e efektshme.

Provat  e vaksinës të zhvilluara tek njerëzit nga Instituti Jenner  dhe Oxford Vaccine Group hynë në testimin e fazës së parë  javën e kaluar, ku morën pjesë  qindra  vullnetarë  të moshës 18 deri në 55.

“Ndërsa COVID-19 po vazhdon kontrollin e tij në botë, nevoja për një vaksinë për të mposhtur virusin është urgjente,” Pascal Soriot, Shefi Ekzekutiv i AstraZeneca AZN,  tha në një deklaratë të enjten.

Tashmë eksperimenti anti- COVID i Oksfordit quhet ChAdOx1 nCoV-19. Filloi javën e kaluar dhe pritet që rezultatet e para tek njerëzit të dalin në mes të qershorit.