Shkollat dhe kopshtet u rihapën sot, pas dy muajve të mbyllura, në një pjesë të madhe të Gjermanisë, pavarësisht frikës për një valë të tretë epidemiologjike, shkaktuar nga përhapja e variantit britanik të koronavirusit.

Fëmijët iu rikthyen sot kopshteve dhe shkollave në 10 nga 16 rajone gjermane. Ato kishin rifilluar tashmë në dy Lande si Basse-Saxe dhe Saxe.

“Është mirë që shumë shkolla në Gjermani po rifillojnë gradualisht mësimin ballë për ballë,” theksoi ministrja e Arsimit Anja Karliczek.

“Fëmijët, sidomos më të vegjlit, kanë nevojë për njëri-tjetrin”, shtoi ajo.

Klasat, të ndërprera që nga mesi i dhjetorit, do të rifillojnë në kushte drastike sanitare, me klasat që alternohen në gjysmë grupe.

Qeveria ka parashikuar të përshpejtojë vaksinimin e mësuesve dhe edukatorëve. Njoftimet në këtë kuadër pritet të bëhen sot pas një takimi mes ministrave të Shëndetësisë dhe kancelares, Angela Merkel.

Miliona edukatorë dhe mësues do të kalojnë kështu në rangun e “prioritetit të lartë” për t’u vaksinuar, pavarësisht rezervave të Komisionit gjerman të Vaksinimit (STIKO), që kërkon të privilegjojë pacientët më të ndjeshëm.

Teste falas dhe uato-teste me një euro priten gjithashtu që prej 1 marsit, një premtim i minsitrit të Shëndetësisë, Jens Spahn, që opozita, por dhe shoqatat e mjekëve apo farmacive e gjykojnë të vështirë për t’u mbajtur.

Pavarësisht kufizimeve drastike të zgjatura rregullisht për dy muaj, Gjermania është përballur me vështirësi, veçanërisht për shkak të përhapjes së variantit britanik, për të përmbajtur pandeminë, e cila ka shkaktuar deri tani 68 000 të vdekur.

Shkalla e incidencës shtatë ditore ishte 61 sot (krahasuar me 60.2 të dielën), larg tavanit prej 35 nën të cilin mund të futen lehtësime të masave.