Një studim i ri global paralajmëron për një krizë që po kërcënon shëndetin e fëmijëve në mbarë botën: vaksinimet e rutinës së fëmijërisë kanë ngecur dhe janë kthyer prapa në shumë vende gjatë dy dekadave të fundit.

Sipas raportit të publikuar në revistën prestigjioze The Lancet, pandemia e Covid-19 ka luajtur një rol kyç në këtë prapambetje, duke ndërprerë fushatat e vaksinimit dhe duke lënë rreth 16 milionë fëmijë pa asnjë vaksinë deri në vitin 2023. Shumica e tyre ndodhen në Afrikën Subsahariane dhe Azinë Jugore.

Ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i shkurtimeve buxhetore, keqinformimit mbi vaksinat dhe pasojave të pandemisë ka krijuar një situatë alarmante për shëndetin global.

“Vaksinat e fëmijërisë janë ndër ndërhyrjet më efektive për shpëtimin e jetëve. Por pabarazitë e thella dhe rritja e hezitimit po na kthejnë prapa”, tha Dr. Jonathan Mosser nga Universiteti i Uashingtonit, një nga autorët e studimit.

Që nga viti 1974, më shumë se 4 miliardë fëmijë janë vaksinuar, duke shpëtuar rreth 150 milionë jetë. Por pas progresit të vazhdueshëm deri në vitin 2010, mbulimi me vaksina ka stagnuar dhe tani po tregon një prirje rënëse në disa rajone.

Sipas studimit, mbulimi me vaksinën kundër fruthit ka rënë në gati 100 vende, ndërsa paralajmërimet për shpërthime të mundshme të poliomelitit dhe difterisë janë shtuar. Edhe vendet me të ardhura të larta, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende të BE-së, po përballen me rënie të normave të vaksinimit./tch

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko