Ka ndërruar jetë sot për shkak të Covid-19  kolosi i poezisë dhe këngës arbëreshe, Zef Kakoca. Lajmi i hidhur e ka bërë me dije me anë të një psotimi në rrejtet sociale, këngëtari Ilir Shaqiri.

Kakica prej disa ditësh ishte në betejë me Covid-19, betejë të cilën nuk arriti ta fitonte.

Kakoca është bërë i njohur si një nga kollonat kryesore që luftoi në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Itali.

Postimi i plotë i Shaqirit:

Kambanat arbëreshe sot na e dhanë kumtin e trishtueshëm. Flamujt e komunitetit artistik arbëror janë ulur në gjysmështizë, është ndarë nga jeta poeti, kantautori, artisti i madh arbëresh Zef Kakoca. Ai u lind në Shën Mitër – Korone të Kalabrisë me 27 shtator, 1957.

Bëri studimet klasike te Kolegji i Shën Adrianit, aty ku mësoi dhe ligjëroi De Rada i madh. Universiteti i Kalabrisë i dha titullin profesor në Gjuhë dhe Letërsi të huaj, duke mbrojtur suksesshëm disertacionin mbi veprën e Fan Nolit. Punën e vazhdoi si profesor i gjuhës franceze në Rossano, ku dhe banonte.

Si autor, kompozitor dhe këngëtar fitoi gjashtë herë Festivalin e Këngës Arbëreshe, në të cilin ka qenë dhe drejtor artistik për katër vjet. Recitalet muzikore – teatrale “De Rada dhe Milosao” me grupin artistik “Zjarri i Ri”, “Rrënjat e Arbërisë” (Le radici dell’ Arbëria), “Udhëtimet e Arbërisë” (I percorsi dell’ Arbëria) dhe “Homazh De Radës”, ishin produkt i shpirtit dhe mendjes së tij brilante.

Aktivitetet kulturore, artistike e teatrale i shtriu në të gjitha katundet arbëreshe dhe këndej detit: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

Nga publiku dhe nga kritika është konsideruar personaliteti më artbërës dhe përfaqësuesi më autentik i këngës poetike arbëreshe, përçues dinjitoz i traditës, historisë dhe kulturës arbërore.

Ka qenë kryetar i shoqatës “Arbitalia”, e para gazetë arbëreshe on line (ëëë.arbitalia.it). Në vitin 2009, në Napoli të Italisë mori, “Çmimin Mesdhetar për Artin dhe Kreativitetin”, çmim që u jepet personaliteteve të larta të kulturës mesdhetare.

Deri sot ishte anëtar i Komitetit Shkencor për Vlerësimin e Komuniteteve Arbëreshe në Zyrën Rajonale në Kalabri (Ministria e Arsimit). Anëtar i Komitetit Shkencor në Institutin Regjional të Kalabrisë për Komunitetin Arbëresh.

Kryetar i Shoqatës Arbëreshe në Corigliano-Rossano.

Drejtues i librit digjital “Le Perle di Arber”.

Në vitin 2015, u laureua me titullin “Naim Frashëri i Artë”, nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë.

Në vitin 2017, botoi romanin e parë “La Terra di Yll”.

Në vitin 2017, u bë anëtar i Lidhjes së Shkrimtareve të Kosovës.

Zefi la pas vetes shumë këngë të bukura arbëreshe, la përmbledhje poezish të botuara e të pa botuara, la romanin e radhës përgjysmë, la këngë të nisura, ashtu siç la përgjysmë URËN MBI DET, një projekt që e nisem bashkë viteve të fundit dhe që na lumturonte fort.

Na e le këngën ngrirë në buzë, o vëlla… Më fal për këto dy kokrra loti…, se edhe shqiponjat ndalen fluturimin, duke parë shpirtin tënd të bardhë tek merr udhë nëpër qiell… Lamtumirë!

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko