Koronavirusi i prek të gjithë, por jo në mënyrë të barabartë. Të rinjtë shpesh e kalojnë lehtë; të moshuarit shpesh humbin jetën.

Të pasurit nuk preken nga goditja ekonomike; të varfrit nuk e kanë këtë privilegj, shkruan The Economist. Për shkak të COVID-19, numri i njerëzve jashtëzakonisht të varfër (d.m.th., ata që fitojnë më pak se 1.90 dollarë në ditë) do të rritet me 70-100 milionë këtë vit, sipas parashikimeve të Bankës Botërore.

Duke përdorur një masë më të gjerë, duke përfshirë ata që nuk kanë strehim themelor ose ujë të pastër dhe fëmijët që vuajnë nga uria, numri i të varfërve do të rritet me 240 – 490 milion këtë vit, sipas OKB-së. Kjo mund të kthejë mbrapsht pothuajse një dekadë progresi.

Pas shkresa te vaksina

Nëse gjendet një vaksinë, ekonomitë pa dyshim që do të rimëkëmben. Por vaksinimi në masë do të zgjasë me vite dhe shumë të varfër nuk mund të presin kaq gjatë. Deri atëherë, kequshqyerja do të ketë dëmtuar trupat dhe mendjet e shumë fëmijëve.

Qeveritë e vendeve të pasura kanë shpenzuar mbi 10% të PBB-së për të lehtësuar dhimbjen ekonomike. Të tjerë nuk mund të jenë aq ambiciozë. Ekonomitë në zhvillim kanë shpenzuar vetëm 3% dhe kombet më të varfra më pak se 1%. Rrjetat e sigurisë në vendet me të ardhura të ulëta janë mjaft të mangëta. Qeveritë e këtyre shteteve kanë shpërndarë vetëm 4 dollarë shtesë për person nëpërmjet programeve sociale – në total, jo në një ditë.

Donatorët duhet të ndihmojnë. Vendet e pasura janë në rrugën e duhur për të ulur ndihmën direkte me një të tretën krahasuar me vjet. FMN-ja dhe Banka Botërore kanë rritur huadhënien, por vetëm 31% më shumë e parave të bankës ka arritur në vendet e varfra, thotë Qendra për Zhvillim Global, një think-tank.

Çfarë duhet të bëjnë qeveritë e varfra

Ndërkohë, qeveritë e vendeve të varfra duhet t’i shpenzojnë paratë me mençuri. Shumë prej tyre nuk bëjnë sa duhet për të varfrit, duke ofruar vetëm lëmoshë. Që nga fillimi i krizës, Meksika nuk ka ofruar programe të reja për të varfrit, por i ka mundësuar gjigantit shtetëror të naftës Pemex, lehtësime taksash me vlerë 2.7 miliardë dollarë, ose 21 dollarë për çdo shtetas meksikan.

India ka derdhur 7 miliardë dollarë në minierat e qymyrit. Afrika e Jugut pritet që së shpejti të konfirmojë një përpjekje tjetër të kotë për të mbajtur në këmbë linjën e saj ajrore, që vazhdon të harxhojë para. Edhe kur paratë caktohen për qëllime të mira, ato shpesh shpërdorohen ose vidhen.

Hetuesit e Afrikës së Jugut po shqyrtojnë mashtrime të mundshme në 658 kontrata, me vlerë 300 milionë dollarë, për pajisjet e mbrojtjes kundër COVID-19. Ministria e Shëndetësisë e Nigerisë bleu disa maska për 53 dollarë secila.

Në një regjistrim të publikuar fshehurazi, një zë që dyshohet se i përkiste një zyrtareje të Ugandës, gajaset teksa ajo bashkë me kolegët komplotojnë për të futur në xhep para që janë caktuar për të lehtësuar vuajtjet ekonomike të popullit nga pandemia.

Politikat e thjeshta

Mënyra më e mirë për të ndihmuar të varfrit është duke u dhënë atyre para në mënyrë direkte. Thjeshtësia e kësaj politike e bën atë më pak të cenueshme nga korrupsioni. Me pak para shtesë në xhepa, përfituesit mund të ushqejnë fëmijët dhe t’i dërgojnë përsëri në shkollë. Ata mund të shmangin shitjen e pasurive thelbësore për ta, si një motor taksi ose një lopë, që do t’i ndihmojë të sigurojnë jetesën në të ardhmen.

Një shtet që ka vepruar mirë duke futur para në xhepat e të varfërve është Brazili, pavarësisht zakonit të presidentit Jair Bolsonaro për të minimizuar efektet e COVID-19. Masa të ndryshme kundër varfërisë janë hequr në Brazil, kryesisht për shkak se qeveria u ka dërguar 110 dollarë në muaj për tre muaj me radhë personave në vështirësi ekonomike, duke ndihmuar në total 66 milionë njerëz. Një përparësi për qeveritë duhet të jetë kujdesi shëndetësor thelbësor, të cilin pandemia e ka prishur aq keq, saqë përparimet në normat e vaksinimit për fëmijët janë kthyer rreth 20 vjet mbrapsht.

Gabimet janë të pashmangshme

Kjo krizë kërkon që politikanët të bëjnë zgjedhje të shpejta. Gabimet janë të pashmangshme, duke pasur parasysh sa shumë mbetet ende e panjohur për sëmundjen. Por disa gabime janë të pafalshme. Bllokimi i papritur i Indisë largoi me miliona punëtorë emigrantë nga vendet e tyre të punës dhe nga strehimet, duke i detyruar të ktheheshin në fshatrat e tyre në këmbë ose në trena të mbushur me njerëz, duke e përhapur kështu virusin edhe më larg.

Afrika e Jugut i ndaloi njerëzit të largoheshin nga shtëpia gjatë natës, por më pas dëboi disa dhjetëra mijë të pastrehë në tokën publike, duke i lënë të braktisur. Politikanët që qeverisin në distancë nga zyrat e tyre të rehatshme në shtëpi, duhet të mendojnë më shumë se si vendimet e tyre ndikojnë tek ata të cilët po zhyten përsëri në varfëri të rëndë për shkak të COVID-19. Është vërtet e turpshme kur përgjigjet e tyre ndaj pandemisë i shtojnë edhe më tepër vuajtjet e njerëzve të pafajshëm./ monitor/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re