Mali i Zi mbyll kufijtë për Shqipërinë pas rritjes së numrit të të infektuarve me Covid 19.
Prej mesnatës së ditës së nesërme, pra nga ora 00.00 e 21 qershorit, në territorin e Malit të Zi nuk do të lejohet asnjë shtetas nga Shqipëria për qëndrim. Ndërkaq, për kalimin transit do të lejohen vetëm ata që kanë një vërtetim ku kanë dalë negative nga testi për koronavirus, i bërë brenda 48 orëve.
Vendimin e ka marrë Njësia Operacionale e Krizës në Podgoricë, e cila ka dërguar shkresën zyrtare në ministrinë e Jashtme dhe të Europës së Shqipërisë.
Dhe menjëherë pas kësaj shkrese, MPJ ka publikuar një njoftim për shtyp ku bën të ditur lajmin e marrë nga qeveria malazeze.
Në këtë fundjavë një numër i lartë i shqiptarëve kanë zgjedhur bregdetin e Malit të Zi për të pushuar, ndërkohë që një numër i madh personazh kanë prenotuar për javët në vijim, si pasojë e promovimit të bërë nga agjencitë turistike.
Megjithatë, ka një sërë kategorish që përjashtohen nga ndalimi, kryesisht personel shëndetësor, apo profesionistë që e kanë të rëndësishëm udhëtimin, e që kanë profesione specifike.
Këta kategori, detyrimisht janë të pajisur edhe me certifikatën e Covidit.
Njoftimi i MPJ
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se Njësia Operacionale e Krizës së Qeverisë së Malit të Zi ka vendosur sot të rishikojë listën e vendeve që do të lejohen të hyjnë në territorin e tij në kuadër të luftës kundër pandemisë COVID-19.
Nisur nga numri në rritje i shtetasve të infektuar aktiv në vendin tonë, që aktualisht e kalon numrin 700 (limit ky i vendosur më parë nga autoritetet malazeze dhe që e kalon shifrën 25 të infektuar për 100.000 banorë), autoritetet malazeze kanë vendosur të mbyllin kufijtë tokësorë me Shqipërinë dhe të lejojnë hyrjen tranzit në territorin malazez vetëm për shtetasit që prezantojnë në kufi dokumentin e testimit negativ ndaj COVID-19, të kryer brenda 48 orëve.
Nga ky kufizim përjashtohen udhëtarët që kanë një funksion/nevojë thelbësore, si:
– profesionistët shëndetësorë, kërkuesit mjekësorë;
– personeli i angazhuar me transportin e mallrave dhe çdo personel tjetër transporti;
– diplomatët, stafi i organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak dhe punonjës të ndihmës humanitare gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre;
– Kategori të veçanta pasagjerësh në tranzit;
– Personat që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare në Malin e Zi, ose për arsye të tjera humanitare.
Ky regjim fillon prej mesnatës të së dielës, datë 21 qershor 2020, dhe është i vlefshëm deri në një vendim të dytë të Njësisë Operacionale të Krizës në Podgoricë.
/shqip