Si pasojë e masave që u prezantuan dje nga Komiteti i Eksperëve, ku ndalohen grumbullimet e 10 ose më shumë personave, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi njofton se seanca që ishte parashikuar për ditën e nesërme nuk do të mbahet.

Ruçi shprehet se i është drejtuar me një letër ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe Komitetit të Ekspertëve, për të dhënë një mendim, sesi mund të vijojnë më tej punimet e Kuvendit, ndërkohë që mbledhjet e Komisioneve do të vijojnë që të mbahen online.

Njoftimi i Kuvendit:

Të nderuar kolegë, në zbatim të Vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve të datës 17.11.2020 dhe të Urdhërit të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Shoqërore nr. 633, datë 17.11.2020 “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”, Kryetari i Kuvendit vendosi që të mos zhvillohet seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e planifikuar për ditën e enjte, datë 19 nëntor 2020.

Në respekt të zbatimit të këtyre masave, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i është drejtuar Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Shoqërore, znj. Ogerta Manastirliu,  për të bërë një interpretim lidhur me vazhdimin e seancave plenare të Kuvendit.

Puna në komisionet parlamentare vazhdon online. Duke ju falenderuar për mirëkuptimin, mund të më shkruani për çdo nevojë për mbështetje apo sqarim. Faleminderit!

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re