Konferenca e Kryetarëve miratoi ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit e ndikuar nga pandemia COVID-19 si edhe kalendarin e punimeve për periudhën 30 mars – 17 prill 2020 dhe vendosi thirrjen e seancës plenare në 16 prill.

Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, sot u zhvillua Konferenca e Kryetarëve online, me anë të mjetit të komunikimit elektronik (Cisco Webex).

“Përvojat e parlamenteve të vendeve të BE-së, të përshtatura për kushtet e pandemisë, parashikojnë mbledhjen e seancave plenare me numër të kufizuar deputetësh, pa cënuar të drejtën e secilit deputet për të votuar. Prandaj edhe ndryshimet e propozuara, reduktimi i kuorumit e pjesëmarrjes dhe zhvillimi i mbledhjeve online, nuk cënojnë të drejtën e deputetëve të Kuvendit për te votuar. Ndërkohë, këto forma mbledhjesh nuk duhet të cënojnë etikën parlamentare, kërkesat dhe standartet për të cilën mbeten po aq rigoroze sa në kushtet e zakonshme.”, tha Ruçi.

Konferenca miratoi me konsensus plotësimet në Rregulloren e Kuvendit, për rregullimin e funksionimit te veprimtarisë parlamentare në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe të pandemisë.

Gjithashtu konferenca shqyrtoi dhe miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 mars – 17 prill 2020, të cilët parashikojnë zhvillimin e seancave plenare në datat 16, 23 dhe 30 prill.

Në këto seanca do të kenë prioritet shqyrtimi e miratimi i akteve normative me fuqinë e ligjit dhe i projektligjeve që kanë lidhje me pandeminë COVID-19.

Seancat do të zhvillohen me pjesëmarrjen dhe prezencën në sallë të të gjithë deputetëve, me numër dhe kohë të kufizuar diskutimesh, dhe për tē zbatuar standartin e distancimit social, për uljen e deputetëve do të shfrytëzohen edhe mjediset e tjera të sallës së seancave plenare.

Seancat do të jenë të mbyllura për publikun dhe do të sigurojnë akses për RTSh, i cili do të transmetojë live dhe do t’u mundësojë sinjalin edhe mediave të tjera.

Konferenca miratoi edhe rendin e ditës të mbledhjes së seancës plenare të datës 16 prill.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re