Përhapja e koronavirusit në vend ka rritur shqetësimin edhe për mbajtjen e burgjeve larg këtij virusi.

Me një udhëzim të ri Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela urdhëron prokuroritë e vendit që të vlerësojnë me rigorozitet rastet që kanë nën hetim dhe për masat e sigurisë aty ku është e mundur të kërkohet caktimi i dënimeve alternative të dënimit me burg apo edhe shtyrjen e vendimit për caktimin e masës me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID 19.

Udhëzimi i Kryeprokurorit:

Drejtuesit e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, vlerësojnë gjendjen, problematikën dhe nevojat e marrjes së masave procedurale në lidhje me ushtrimin e ndjekjes penale në njësitë administrative që mbulon prokuroria që ai/ajo drejton, si dhe në zbatim të kompetencave të parashikuara në ligj vendosin marrjen e masave procedurale për bërjen kujdes sipas fazave të procedimit penal, siç mund të jenë:

1. Në fazën e hetimeve paraprake, vlerësimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, në zbatim të kushteve dhe kritereve ligjore që garantojnë sigurinë e nevojshme personale të personit të arrestuar në flagrancë apo ndaluar ose të personit nën hetim, dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit të ri.

2. Në fazën e diskutimeve përfundimtare në gjykimet e themelit vlerësimin, nëse plotësohen kushtet dhe kriteret ligjore për të kërkuar caktimin e dënimeve alternative të dënimit me burgim dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit të ri.

3. Në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale të formës së prerë, vlerësimin, nëse plotësohen kushtet dhe kriteret ligjor për të kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit të ri; nëse plotësohen kushtet dhe kriteret ligjore për vuajtjen e dënimit të mbetur me qëndrim në shtëpi dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit të ri. Në zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen drejtuesit e Prokurorive.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re