Qeveria britanike ka shtyrë me tre javë, masat e izolimit, si pasojë e Covid-19.

Dominic Raab, që zëvendëson kryeministrin Johnson në konferencat e përditshme për shtyp, e bëri këtë njoftim, duke thënë se masat e distancimit social kanë qenë të suksesshme, por ato duhet të vijojnë edhe për të paktën tre javë.

“Nuk kemi arritur ende ta ulim nivelin e infektimit, aq sa duhet”, u shpreh Raab.

“Çdo ndryshim në masat e distancimit social, do të rrezikonte rritjen e konsiderueshme të infeksionit”, shtoi ai.

Në Mbretërinë e Bashkuar, qytetarët janë udhëzuar të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të dalin jashtë, vetëm për të blerë ushqime dhe produkte esenciale. Gjithashtu, qytetarët mund të lënë banesat për të kryer aktivitet fizik një herë në ditë, duke zbatuar rregullat strike të distancimit social.

Në Mbretërinë e Bashkuar, ditën e sotme kanë humbur jetën 861 persona si pasojë e Covid-19.

Në total, në këtë vend kanë ndërruar jetë 13,729 qytetarë dhe janë infektuar 103,093 të tjerë.

Sipas Profesorit Chris Whitty, shifra e ditës së sotme, është ndikuar edhe nga fakti se, një pjesë e fataliteteve janë raportuar me vonesë, si pasojë e fundjavës së Pashkëve.

/TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re