21 është numri i rasteve të personave të prekur me Covid-19, të raportuara zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë për 24 orët e fundit në qarkun e Beratit, ndërkohë që shpërndarja e rasteve sipas qyteteve ka qenë: 13 raste në Berat, 4 në Kuçovë, 3 në Skrapar dhe 1 në qytetin e Poliçanit. Edhe pse numri i rasteve gjatë 24 orëve është ulur ndjeshëm në krahasim me dy ditët e mëparshme, edhe sot kanë vijuar vatrat e infektimit në shkolla dhe në radhët e mjekëve e infermierëve.

1 mësues në shkollën 9-vjeçare në fshatin Cukalat në Urë-Vajgurore dhe 1 mësuese në fshatin Karkanjoz në Poliçan janë mes rasteve pozitive të ditës së sotme, ndërkohë që të infektuar me Covid-19 janë konfirmuar edhe 3 nxënës, 2 në shkollën 9-vjeçare “Mehmet Ali Vrioni” në Berat dhe 1 në shkollën jopublike “Irfan Ngjeqari”.

Infektimet kanë vijuar edhe në institucionet shëndetësore dhe fasoneri, ku 1 infermiere në Qendrën Shëndetësore në fshatin Karakanjoz në Poliçan dhe 1 punonjëse në fasoneri në Kuçovë janë konfirmuar “pozitivë” me SarsCov-2. Mjekët epidemiologë në Berat konfirmojnë se të prekurit nga Covid-19 gjatë ditëve të fundit janë të moshave nga 30-67 vjeç, ndërkohë që numri i rasteve aktive në qarkun e Beratit ka arritur në 931.