Mbretëria e Bashkuar ka të ngjarë të rivendosë së shpejti disa masa kufizuese për shkak të COVID-it, tha Neil Ferguson, epidemiolog i njohur britanik dhe ish-zyrtar shëndetësor.

Kryeministri Boris Johnson tha se ai nuk dëshironte të fuste karantinë në të gjithë vendin, por se kufizime të reja mund të jenë të nevojshme pasi Britania përballet me valën e dytë “të pashmangshme” të virusit koronar.

“Tani jemi në nivelin e infeksionit që kemi pasur në fund të shkurtit dhe nëse e lëmë këtë situatë për dy deri në katër javë, do të kthehemi në nivelin që kemi pasur në mes të marsit dhe kjo mund të nënkuptojë më shumë vdekje”, tha Ferguson për BBC.

Ferguson ishte në bordin kryesor këshillimor shkencor të qeverisë deri në maj, kur doli në pension, pasi ai vetë shkeli masat e karantinës.

Karantinë për lagje të tëra në Madrid

Masat kufizuese për shkak të përhapjes së rritur të koronavirusit po futen në Spanjë. Policia do të kontrollojë daljet dhe hyrjet e banorëve në disa pjesë të Madridit dhe zonës përreth nga e hëna, veprimtaria e të cilëve do të kufizohet me forcë për të ndaluar përhapjen e infeksionit.

Qeveria rajonale e Madridit njoftoi masa të veçanta të premten në 26 zona të vetë qytetit dhe në 11 periferi, kryesisht në jug dhe juglindje, ku jetojnë tradicionalisht qytetarë dhe migrantë më të varfër.

Banorët e kapur në shkelje të dispozitës do të gjobiten 600 euro dhe sanksionet financiare mund të shkojnë deri në 600,000 euro, që vlen kryesisht për objektet e biznesit.

Franca fqinje gjithashtu po merret me një rritje të re në numrin e të infektuarve. Autoritetet njoftuan më herët të premten se një rekord 13,000 raste të reja ishin raportuar në 24 orët e fundit.

Numri i të vdekurve gjithashtu u rrit në nivelet më të larta në katër muaj.

Epidemiologët besojnë se shkaku i rritjes është një kombinim i qarkullimit më të shpejtë të virusit dhe gjashtë herë më shumë testime pasi qeveria e bëri atë të lirë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re