Situata me pandeminë e koronavirusit ka ulur dhe numrin e dhuruesve të gjakut, kjo dhe për shkak të frikës që kanë qytetarët që të paraqiten në këto qendra.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ ambasada Amerikane në Tiranë ka shpërndarë një njoftim të Kryqit të Kuq, ku iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak, ndërsa thekson se kjo mbetet një sfidë për vendin tonë.

“Nuk ka nevojë të jesh mjek për të shpëtuar jetë. Mund t’a bësh sot më shumë se kurrë duke dhuruar gjak! Pandemia COVID-19 ka sjellë një rënie të ndjeshme të numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut. Në Shqipëri mbetet një sfidë e vazhdueshme sigurimi i gjakut të mjaftueshëm dhe të sigurtë. Në rang vendi, 600 fëmijë kanë nevojë për transfuzion gjaku të vazhdueshëm. Nëse të gjithë ne kontribuojmë nga pak, mund të sjellim ndryshim në shoqëri dhe mund të përmirësojmë jetën e mijëra njerëzve që kanë nevojë për gjak. Me një njësi gjaku mund të shpëtohen 3 jetë njerëzish. Eja dhuro sot dhe jep shembullin tënd! – Kryqi i Kuq Shqiptar, Dega Tiranë”, thuhet në reagim.