Nga: Sali Shasivari

Çkado që të jetë e vërteta në lidhje me shkaqet e paraqitjes së virusit ‘Covid19’ si dhe përmasave të kësaj pandemie, ajo që nuk mund të mohohet, është fakti se, kjo krizë pandemike ka shkaktuar – si asnjëherë më parë – pasoja të paparashikueshme ndaj pjesës më të madhe të Globit dhe banorëve të tij, duke kaluar nga përmasat e ‘pandemisë biologjike’, në përmasa të ‘pandemisë socio-ekonomike dhe kulturo-civilizuese’!

Qasjet, qëndrimet dhe reagimet e deritanishme ndaj kësaj krize, përpos që janë të shumta dhe të duarnduarta, të njejtat, në të shumtën e rasteve, janë joreale, kontradiktore dhe joproduktive!

Kështu, këto qasje, qëndrime dhe reagime u karakterizuan herë si reaksione të ekzagjeruara dhe emocionale, të cilat defokusojnë nga shkaqet e vërteta të cilat shkaktuan pasoja të këtilla; herë si reaksione të cunguara, të cilat përqëndrohen në një aspekt, duke anashkaluar shumë aspekte tjera të cilat sollën në një gjendje të këtillë; herë si reaksione joreale dhe kontradiktore, të cilat shkaktojnë ç’orientim dhe defokusim nga çështjet thelbësore; herë si reaksione të llojit konspirativ, të cilat krijojnë ndjenjën e defetizmit dhe dorëzimit; e, herë si reaksione dhe qasje imagjinative, duke kaluar në shpresa dhe dëshira mirakëndëse; qëndrime, qasje dhe reagime këto, të cilat, krijojnë ndjenjën e sfidës dhe triumfit, përmbushjes dhe kënaqësisë, si dhe shprazjes emocionale dhe “kryerjes” së obligimit…; larg nga qasjet objektive, në funksion të zgjidhjeve reale.

Qasjet, qëndrimet dhe reagimet e këtilla joreale dhe kontradiktore, përpos që e cilësuan krizën ‘Covid19’ si shkaktare – e jo si pasojë – e krizave të ndryshme dhe të shumta të cilat po shfaqen përgjatë kësaj periudhe; të njejtat qasje, qëndrime dhe reagime krijuan ndjenjën e rrejshme se, me të zgjidhur të kësaj krize virusale, me automatizëm do të zbuten dhe zgjidhen të gjitha krizat tjera shoqëruese.

Ndërsa, realiteti i hidhur është se, kriza ‘Covid19’, me gjitha aspektet dhe përmasat e saj, nuk është rastësi dhe shkak në vehte, por është rezultat dhe pasojë e shumë shkaqeve dhe krizave tjera; duke filluar nga mungesa e ‘imunitetit’ të duhur (kam për qëllim ‘imunitetin’ në kuptimin e përgjithshëm të fjalës), e deri tek ‘virozat’ e natyrave të ndryshme, të cilat e kanë kapluar njerëzimin kahmoti, siç janë: egoizmi, materializmi, oportunizmi, hedonizmi, rënia e sistemit të vlerave, padrejtësitë, prishjet e ekuilibrave, vrasjet, gjenocidet, shkatërrimet në masë, etj.; si dhe shumë e shumë ‘viroza’ tjera, me pasoja më të rrezikshme, më të përgjithshme, dhe më afatgjate…!

Së këndejmi, logjika e shëndoshë dikton që, të trajtuarit e shkaqeve të jetë po aq i rëndësishëm sa edhe trajtimi dhe evitimi i pasojës; kjo, me qëllim të përforcimit të ‘imunitetit’ tonë të përgjithshëm.

Përndryshe, qasja e njëanshme do ta dobësojë edhe më shumë ‘imunitetin e përgjithshëm’ të njeriut dhe njerëzimit, me ç’rast, do ta ç’orientojë atë drejt një aspekti, duke e ekspozuar ndaj shumë ‘viruseve’, të cilat vërsulen nga të gjitha anët!

Për më tepër, nëse bëjmë qasje të njëanshme në lidhje me shkaqet (në këtë rast virusit ‘Covid19’), dhe nëse mundohemi të gjejmë – poashtu – zgjidhje të njëanshme (në këtë rast përmes tentimit të gjetjes së një vaksine të prodhuar në laborator), kjo do të thotë se, ne, me vetëdije apo pa vetëdije, u hedhim pluhur syve tanë, dhe e mashtrojmë vehten! Kjo, nga shkaku se, ne, ndoshta do të arrijmë ta neutralizojmë një virus, por, në anën tjetër, ne do të injorojmë shumë ‘viroza’ tjera, të cilat janë evidente, dhe të cilat do të vazhdojnë të shpërfaqen në mënyra edhe më të rrezikshme dhe më agresive!

Është e vërtetë se ‘Covid19’ shkakton viktima në njerëz, mirëpo, krizat tjera (ndaj të cilave heshtet), zhdukin popuj, kultura dhe civilizime…!

Kështu, në raste të ‘virozave’ të shumta të llojit patogjen, politik, ekonomik, arsimor, social, kulturor, etik, moral, civilizues, etj., kërkohen qasje holistike, shumëdimensionale dhe multidisiplinare, si dhe, intervenime adekuate dhe të shpejta.

Së këndejmi, duke marë parasyshë se në pjesën e parë të këtij seriali shkrimesh rreth krizës ‘Covid19’, ne u përqëndruam kryesisht në diagnostifikimin dhe përshkrimin e krizës në fjalë, dhe rreth efekteve dhe pasojave të cilat i shkaktoi kjo krizë…; si dhe, duke marë parasyshë se, në pjesën e fundit (pjesa 23) të këtij seriali (të postuar më 17 Qershor 2020, nën titullin “Kriza që nxorri në pah më të keqen dhe më të mirën e njerëzimit”), unë pata premtuar që, në bllokun e postimeve që vijojnë, fillimisht do të shqyrtojmë disa nga problemet dhe defektet serioze prej të cilave vuan njerëzimi i sotëm; për të kaluar mëpastaj në paraqitjen e disa mundësive dhe zgjidhjeve të cilat mund t’i realizojë qenia njeri, në funksion të ndërtimit të një bote më të mirë… Ja, sot, pas një pauze dhe heshtjeje disa-mujore (për shumë shkaqe subjektive dhe objektive), po i rikthehemi përsëri këtij seriali shkrimesh përkitazi me krizën ‘Covid19’; krizë këtë, të cilën, unë që në fillim e pata emëruar si ‘virus i viruseve’, si dhe ‘sprovë universale’!

Në saje të kësaj që u tha, në postimet në vijim, do të mundohemi të ju qasemi defekteve dhe problemeve prej të cilave vuan njerëzimi i sotëm, dhe të cilat bëjnë që krizat e llojit ‘Covid19’ të marin përmasa të paparashikueshme dhe afatgjate; gjithmonë, duke u nisur nga parimi dhe maksima: ‘njohja e problemit është gjysma e zgjidhjes’.

Andaj, na ndiqni…

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re