Skip to content

Covidi ”zhduk” virozat e stinës, shefja e Pediatrisë zbulon numrin e fëmijëve që janë infektuar nga koronavirusi

Kujdesi ndaj Covid 19-të ka bërë që këtë vit thuajse të zhduken virozat gripale. Periudha e fundvitit zakonisht  ka qenë e mbingarkuar në spitale, veçanërisht në pediatri, por këtë vit kujdesi i shtuar i prindërve ndaj të vegjëlve, distancimi dhe higjena kanë bërë që të sëmuren me pak fëmijë se zakonisht.

Këtë fakt e ka konfirmuar shefja e pavijonit të pediatrisë në Elbasan Irena Palloshi, e cila thekson se numri i fëmijëve që kanë shfaqur shqetësime shëndetësore është reduktuar në 30% krahas një viti më parë. Edhe në pamjet që vijnë nga koridoret e pavijonit konfirmohet një fakt i tillë.

Shefja e pediatrisë thekson se fluksi i fëmijëve është reduktuar ndjeshëm dhe se për shkak të temperaturave vijnë fëmijë që shfaqin probleme me diarrenë dhe të vjellat.

“Në Pediatrinë e Elbasanit fluksi i fëmijëve është më i reduktuar, gati 30 % më pak se shifrat e një viti më parë. Këtë sezon pasi kanë rënë edhe temperaturat, kryesisht vijnë fëmijë që kanë diarre, të vjella”,- tha Irena Palloshi për gazetaren e Fax News Entela Duka.

Ndonëse më pak të rrezikuarit e virusit, në Elbasan që nga shfaqja e pandemisë janë prekur me covid-19-të 40 fëmijë. Fatmirësisht në moshën pediatrike nuk është shënuar asnjë jetë e humbur.

“Në Spital do të vijnë kur ta rekomandojë vetëm mjeku i familjes, në rastet kur janë urgjente. Por tek mjeku i vetë, fëmija do të paraqitet për çdo lloj shenje siç është temperatura, kolla e shtuar, gjendja e përgjithshme jo e mirë”, theksoi- shefja e pediatrisë në Elbasan.

Në kushtet kur virusi i rrezikshëm vijon të jetë ende mes nesh dhe të marrë çdo ditë jetë njerëzish , shefja e pediatrisë në Elbasan vijon apelin e saj për të treguar kujdes të shtuar ndaj masave , por dhe ushqimit që konsumojmë.

(E.G/Faxweb.al)

/faxweb