Të paktën 36 gazetarë dhe punonjës të mediave janë vrarë që nga shpërthimi i luftës në Gaza më 7 tetor, tha sot Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).

Në një deklaratë, organizata e lirisë së shtypit me bazë në New York tha se ne mesin e viktimave gjenden 31 gazetarë palestinezë, katër izraelitë dhe një libanez.

Organizata tha se tetë gazetarë janë plagosur gjithashtu, tre të tjerë janë zhdukur dhe tetë gazetarë janë arrestuar.

“Lufta Izrael-Gaza është bërë periudha më vdekjeprurëse katërjavore për gazetarët që mbulojnë konfliktin që kur CPJ-ja filloi të dokumentonte vdekjet e gazetarëve në vitin 1992”, shtoi organizata.

CPJ-ja tha se po heton gjithashtu raporte të shumta për gazetarë të tjerë të vrarë, të zhdukur, të ndaluar, të lënduar ose të kërcënuar, si dhe për dëmtime në zyrat e mediave dhe shtëpitë e gazetarëve.

“CPJ-ja thekson se gazetarët janë civilë që bëjnë punë të rëndësishme gjatë kohëve të krizave dhe nuk duhet të jenë në shënjestër të palëve ndërluftuese”, ka thënë Sherif Mansour, koordinator i programit të CPJ-së për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

“Gazetarët në gjithë rajonin po bëjnë sakrifica të mëdha për të mbuluar këtë konflikt zemërthyes. Ata në Gaza, në veçanti, kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë një çmim të paprecedentë dhe përballen me kërcënime eksponenciale. Shumë prej tyre kanë humbur kolegët, familjet dhe objektet e medias dhe kanë ikur duke kërkuar siguri kur nuk ka pasur strehë apo dalje të sigurt”.

Ushtria izraelite nisi sulme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një ofensive ndërkufitare nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Të paktën 9.770 palestinezë, duke përfshirë 4.800 fëmijë dhe 2.550 gra, janë vrarë në bombardimet izraelite në Rripin e Gazës. Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve në Izrael është afro 1.600.

Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjeve masive, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re