Ylli i futbollit Cristiano Ronaldo ka folur pas eliminimit të Portugalisë nga Spanja në Kupën e Botës 2026, duke konfirmuar se ky ishte Botërori i tij i fundit, por jo domosdoshmërisht fundi i karrierës së tij me kombëtaren, shkruan gazzetta.it.
“Spanja pati pak fat dhe shënoi në fund. Futbolli është kështu. Është e dhimbshme të eliminohesh në këtë mënyrë, por largohem me ndërgjegje të pastër, sepse kam dhënë gjithçka. Ndonjëherë fiton, ndonjëherë humbet dhe duhet të shohësh përpara”, deklaroi Ronaldo.
41-vjeçari theksoi se nuk do të marrë një vendim të nxituar për të ardhmen e tij me Portugalinë.
“Po, ky ishte Botërori im i fundit. Për pjesën tjetër do të kem kohë të mendoj dhe të flas me familjen time. Nuk ka nevojë të vendos menjëherë pas ndeshjes. Jeta vazhdon.”
Ronaldo kujtoi edhe sukseset e tij me kombëtaren, duke nënvizuar se para ardhjes së tij Portugalia nuk kishte fituar asnjë trofe madhor..
“Kam fituar tre trofe me Portugalinë dhe trofeu më i rëndësishëm për mua është Europiani i vitit 2016.
Sinqerisht, ai ka të njëjtën vlerë si një Kupë Bote. Largohem i qetë, sepse kam dhënë maksimumin për vendin tim”, shton ai.
Megjithatë, deklaratat e tij kanë shkaktuar debat në Portugali. Gazeta sportive A Bola kritikoi paraqitjen e Ronaldos në fazat me eliminim direkt të Botërorëve, duke theksuar se në nëntë ndeshje të tilla ai ka shënuar vetëm një gol, atë me penallti ndaj Kroacisë në këtë edicion.



